39 dëshmitarë për 14 të vrarët në Ozdrim të Pejës dhe për krimet e tjera

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt senaca për krime lufte për rastin në Ozdrim të Pejës, ku u vranë 14 civil shqiptarë.

Prokurori Special, Ilir Morina, ka deklaruar gjatë seancës se do të vërtetojnë që i akuzuari Millorad Gjokoviq i cili ishte prezentë, pati rol aktiv në zbatimin e këtij plani kriminal.

“Faktin se ka pasur një plan të vrasjes sistematike nga ana e forcave policore serbe kundër popullsisë civile shqiptare e ka vërtetuar Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish- Jugosllavi. Në rastin kundër të dënuarit Vllastimir Gjorgjeviq, kjo gjykatë ndërkombëtare pati vërtetuar se brenda strukturave policiore ushtarake serbe kishte ekzistuar një ndërrmarrje e përbashkët kriminale”, ka thënë Morina.

Prokurori Special, Ilir Morina ka bërë të ditur se dëshmitarët të cilët do të dëshmojnë për këtë rast do të përshkruajnë në tërësi gjendjen faktike të aktakuzës dhe rolin e të akuzuarit për veprën penale për të cilën po akuzohet.

“Dëshmitarët do të vijnë para këtij trupi gjykues për të dëshmuar lidhur me rrethanat e vrasjes masive, dëbimin e popullsisë civile, bastisjen, rrahjen dhe arrestimit të dhjetëra shqiptarëve civil, ngjarje këto të cilët i panë dhe përjetuan para, gjatë dhe pas masakrës së Ozdrinit”, ka thënë Morina.

Mbrotja e të pandehurit Millorad Gjokoviq , kanë deklaruar se aktakuza është e motivuar politikisht. Ndërsa i pandehuri ka kërkuar t’i ketë personalisht materialet dhe deklaratat e dëshmitarëve.

“Mbrojtja e të pandehurit konsideron se akatakuza është e pabazë dhe hetimi nuk është kryer konform dispozitave të procedurës penale sepse nuk ka mjaftueshëm prova të cilat vërtetojnë që i pandehuri ka kryer vepër penale të cilat i vihen në barrë”, ka deklaruar avokati mbrojtës.

Tutje ka deklaruar se mbrojtja konsideron se “aktakuza bazohet në të dhëna të fabrikurara, nga jologjika në deklaratat e dëshmitarëve në të cilat prokuroria thirret”.

Gjyqtari Valon Kurtaj bëri të ditur se 39 dëshmitarë do të dëshmojnë për 14-të të vrarët në fshatin Ozdrim të Pejës dhe krimet tjera gjatë periudhës 1998-99, ku dyshohet se i pandehuri Gjokoviq, ka qenë pjesëmarrës në bashkëkryerje të këtyre krimeve.