65 mjekë të huaj u punësuan në Shqipëri në 2018-ën

Viti 2018 ka qenë mjaft pozitiv për bluzat e bardha, gjatë të cilit janë punësuar 168 mjekë pranë qendrave shëndetësore në të gjithë vendin.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë vitit 2018 përveç numrit të lartë të mjekëve shqiptarë të punësuar në sistemin e shëndetësisë, vihet re edhe një kërkesë e mjekëve të huaj për të punuar në Shqipëri, ku gjatë këtij viti janë punësuar 65 mjekë me nënshtetësi të huaj.

Gjithashtu në këtë raport vihet re se gjatë 2018-ës ka një rikthim në atdhe të 10 mjekëve shqiptarë të cilët janë specializuar jashtë Shqipërisë.

Në rubrikën “60 sekonda” të publikuar nga Kryeministri Rama, vihet re se në raportin e publikuar nga Shoqata e Mjekëve në Gjermani, për vitin 2018 janë punësuar në total 630 mjekë shqiptarë.

Ky fenomen nuk prek vetëm vendin tonë, pasi numrin më të lartë të mjekëve që punojnë në Gjermani e ka Rumania me 4666 mjekë, mbi 3 mijë mjekë grekë, apo mbi 1500 mjekë italianë. Vetëm mjekët serbë janë sa dyfishi i mjekëve tanë atje.

/atsh