AAK pas mbledhjes së Kryesisë: Kosova t’u kthehet aleatëve

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë me një deklaratë pas mbledhjes së Kryesisë, përmes së cilës ka thënë se Kosova duhet t’u kthehet aleatëve të saj.

Sipas AAK’së, ata që sot provojnë të ecin përpara duke mos e përfillur aleatin kryesor të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Amerikën, nuk janë të vërtetët.

AAK ka thënë se është detyrë e secilit që qysh sot të zhbllokohet gjendja e krijuar në veri dhe të përmbyllet kapitulli i marrëveshjes finale me Serbinë.

“Ata që e zvarrisin marrëveshjen përfundimtare për njohje me Serbinë, me lloj-lloj marifetesh e justfikimesh, e me zgjidhje qesharake për veriun e vendit, e kanë me hile. Ata i janë futur një misioni të pamundshëm, rikthimin e Kosovës në pikën zero”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë:

Kosova është Një dhe e vërteta e saj është vetëm Një

Ajo mund të mbijetojë, të forcohet e të prosperojë vetëm me njerëz të vërtetë. Eksperimentet me platforma e ide, pa të vërtetën dhe pa njerëzit e vërtetë, vetëm sa e zgjasin agoninë tonë.

Dhe e vërteta për Kosovën sot është përfshirja e njerëzve të vërtetë në vendimmarrje për vendin.

Kosova ka mbërritur këtu ku është sot, vetëm falë njërëzve të vërtetë, në të gjitha fazat e një lufte shekullore, deri në lirinë e plotë dhe në krijimin e shtetit.

Dhe e vërteta e jonë është paqëndrueshme pa anëtarësimin e Kosovës në NATO, e kjo nuk bëhet pa aleatët strategjikë, Amerikën dhe demokracitë tjera perëndimore.

Ata që sot provojnë të ecin përpara duke mos e përfillur aleatin kryesor të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, Amerikën, nuk janë të vërtetët.

Prandaj Kosova duhet të kthehet në kursin e vet të vërtetë e t’u kthehet aleatëve të vet.

Ata që e zvarrisin marrëveshjen përfundimtare për njohje me Serbinë, me lloj-lloj marifetesh e justfikimesh, e me zgjidhje qesharake për veriun e vendit, e kanë me hile. Ata i janë futur një misioni të pamundshëm, rikthimin e Kosovës në pikën zero.

Është detyrë e secilit prej nesh, që qysh sot të zhbllokohet gjendja e krijuar në veri dhe të përmbyllet kapitulli i marrëveshjes finale me Serbinë dhe kjo nuk mund të bëhet me njerëzit që nuk janë të vërtetët.

Në planin e brendshëm e vërteta jonë mbështetet në tri shtylla:

• Rend dhe ligj e pa sulme të pushtetit ndaj sistemit të drejtësisë dhe mediave;

• Luftë kundër korrupsionit e informalitetit, që nënkupton shkëputje të lidhjeve të shkurtëra korruptive, depolitizim të administratës e të bordeve;

• Zhvillim ekonomik e sektorial që nënkupton zhbllokimin e mjeteve financiare dhe rikthimin e tyre në projektet zhvillimore, heqjen e pengesave për investime të huaja, mbështetjen e bizneseve vendore e jo anatemimin e tyre si dhe politika të qëndrueshme në sektorë veç e veç.

Vendi sot ka nevojë për të vërtetën e vet dhe pa e kuptuar të vërtetën nuk do të mund të lëvizim nga vendi. Nuk bëjmë përpara dhe do të ngecim aty ku kemi ngecur tash e tri vjet.

Asnjë synim politik, diplomatik, ekonomik apo fundja edhe nacional, nuk do të mund ta realizojmë pa njerëz të vërtetë.