Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Secila marrëveshje që përfundon me njohnje të ndërsjellë, është e pranueshme për LDK-në

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sërish pas takimit me kryeministrin Kurti.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Abdixhiku ka shpalosur kërkesat e tij drejtuar Kurtit, ndërsa ka shtuar se çfarëdo marrëveshje që përfundon me njohje të ndërsjellë, është e pranueshme për LDK-në, përcjell Fokusi.info.

Më poshtë edhe komunikata e para pak çasteve.

Sot, bashkë me nënkryetarin Haziri kemi zhvilluar një takim me Kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti; me ftesë të këtij të fundit.
Kam marrë pjesë në këtë takim për t’i prezantuar qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës në lidhje me dialogun. Si LDK as nuk i ikim takimeve e as nuk i shmangemi temave të mëdha për vendin. Prandaj, pasi kemi dëgjuar pozicionin e Qeverisë, kam prezantuar pozicionin politik të LDK-së, në formë të shkruar; dhe i kam kërkuar Kryeministrit që ai dhe Qeveria e tij të prezantojë një pozicion të tillë para qytetarëve tanë dhe ndërmjetësuesve jashtë. Janë të lirë ta marrin këtë tonin nëse ju duhet.

Përderisa i përmbahen parimeve kryesore të prezantuara në këtë dokument, pra nuk negociojnë për territor, nuk devijojnë nga rendi kushtetues e nuk prishin karakterin unitar të Kosovës, secila marrëveshje që përfundon në njohje të ndërsjellë, njohje nga vendet e BE-së e anëtarësim në NATO, është e pranueshme për ne. Si Kryeministër, ai ka për detyrë dhe obligim të bartë këtë proces, jo ta shmangë ate.
Po ashtu, i kam kërkuar Kryeministrit që raportimet rreth dialogut t’i bëjë në Kuvendin e Kosovës; aty ku janë të zgjedhurit e qytetarëve tanë.