Aksident i rëndë në rrugën Prishtinë-Gjilan, humb jetën një person

Një aksident me fatalitet ka ndodhur në rrugën Gjilan-Prishtinë, afër Liqenit të Badocit shkruan Radio Star. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një veturë dhe një kamion.

Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore ka pësuar një person, i cili nuk ka arritur që të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci konfirmoi për Telegrafin se në aksident një 49 vjeçar ka humbur jetën.

“Rreth orës 09:00, është pranuar informata për një aksident trafiku rrugor të ndodhur në rrugën magjistrale Prishtinë-Gjilan, respektivisht në fshatin Kishnicë. Nga informatat e para bëhet e ditur se në aksident janë përfshirë një veturë dhe një kamion dhe si pasojë një person, mashkull, 49 vjeç, ka humbur jetën”, tha ai.

Borovci shtoi tutje se, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor si dhe ka nisur punën për hetimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti.