Aksionet e Speciales: Bastisje në Malishevë, po intervistohet Haxhi Shala

Haxhi Shala i njohur me nofkën “Topi” gjatë kohës së luftës, është ftuar për intervistim nga Dhomat e Specializuara të Hagës.

Nacionale ka mësuar se bastisje po zhvillohen në komunën e Malishevës. Aty është bastisur edhe shtëpia e eprorit të UÇK-së, Haxhi Shala.

Djali i Haxhi Shalës, Flakroni, ka thënë për Nacionalen se për momentin nuk kanë informata për arrestim.

“Vetëm e kanë ftuar për intervistim njëherë përnjëherë, qështu i kemi informatat. Është në zyret e EULEX-it”, ka thënë Flakron Shala për Nacionalen.

I pyetur nëse familja ka njohuri për arsyet e ftesës, ai ka thënë se nuk kanë asnjë informacion.

“Jo nuk dijmë asgjë për momentin”, deklaroi shkurt Flakron Shala.

Nuk dihet nëse ftesa për Shalën ndërlidhet me akuza për krime lufte, apo për pengim të drejtësisë siç kanë qenë arrestimet e fundit.

Pikërisht në zonën ku ka shërbyer Haxhi Shala, javë më parë u arrestua Isni Kilaj për pengim të drejtësisë.

Haxhi Shala ishte ftuar për intervistim nga Prokuroria e Hagës në gusht të vitit 2020.

“E rastesishme apo jo, në 22 vjetorin e ditës së dëshmorëve të Brigades 121, kur po përkujtojmë përvjetorin e rënies së bashkëluftetarit tim Ismet Jashari- Kumanova dhe dëshmorëve tjerë të rënë në luftën e paster e të drejtë të UÇK-së — Unë komandanti i kësaj brigade, sot kam pranuar ftesen nga Gjykata Speciale në Hagë, si i dyshuar, ku do të duhet të jem i pranishem atje me 8 Shtator të këtij viti”, kishte thënë Shala.

Prokuroria e Specializuar e Hagës në një përgjigje për Nacionalen ka konfirmuar se po zhvillohen operacione.

Por, nuk kanë treguar për çfarë arsye ose nëse ka të arrestuar.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Nacionalen.

Të arrestuar për pengim të drejtësisë kanë qenë kohëve të fundit edhe Ismet Bahtjari e Sabit Januzi. Ata bashkë me Isni Kilajn, dyshohen për pengim të drejtësisë.

Bahtijari e Januzi akuzohen për takime e tentim-ndikimi në dëshmitarë, kurse Kilajt dyshohet t’i jenë gjetur dokumente konfidenciale me emra të dëshmitarëve.