Albin Kurti e çon Kosovën në rrugën e rrezikshme, nuk koordinohet për asgjë me aleatët, ShBA-në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë…

Prej dy dekadash, ‘koordinimi’ nuk ka qenë një fjalë e zakonshme për drejtuesit politikë të Kosovës dhe të Shqipërisë. ‘Koordinimi’ me aleatët, në krye të të cilëve qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri më tani ka qenë kryefjalë e suksesit të Shqipërisë, Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi.

Pavarësisht kësaj vlere të madhe që ‘koordinimi’ bartë për shqiptarët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tashmë po e çon Republikën e Kosovës në një rrugë të rrezikshme dhe të pashkelur më parë: Të moskoordinimit për asgjë me aleatët e Kosovës, siç janë ShBA-të, Britania e Madhe, Gjermania… etj, shkruan Demokracia.com.

Brenda disa orëve, përfaqësuesit e këtyre tri shteteve të fuqishme, mbështetëset kryesore të pavarësisë së Kosovës dhe avancimit të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, i kanë dhënë goditje të madhe kësaj rruge të nisur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Thirrje që të përmbahet nga hapat e njëanshëm Qeverisë së Kosovës i kanë bërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka thënë se vendimi i fundit i Qeverisë për të shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi i DASH.

Edhe Zyra për shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë, ka thënë për Klankosova.tv se vendimi është marrë pa koordinim me Gjermaninë.

Madje thuhet se as Ambasada gjermane nuk është informuar për këtë veprim të qeverisë paraprakisht.

“Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht”, ka thënë Ambasada gjermane.

Në përgjigje thuhet po ashtu se duke qenë dëshmitarë të krizës aktuale në komunat veriore të vendit, “një koordinim i afërt me partnerët ndërkombëtarë do të kishte qenë i dobishëm”.

“Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore”, ka theksuar Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.

Në lidhje me këtë vendim deri tanë kanë reaguar edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

“Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e konsultuar [për vendimin]”, tha shkurt një zëdhënës i Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës gjatë ditës së djeshme i ka shpallur organizata terroriste dy formacionet ilegale, “Mbrojtja Civile” dhe Brigada e Veriut”.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Kurti ka thënë se bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë të Kosovës dy formacione ilegale, “Mbrojtja Civile” dhe Brigada e Veriut”, paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë dhe serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla teksa tha se vendimi për shpalljen terroriste të organizatave “Mbrojtja Civile” (Civilna Zastita) dhe “Brigada e Veriut” (Severna Brigada), do të hyjë në fuqi menjëherë, shtoi se për këtë vendim janë koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.

“Ne në vazhdimësi koordinohemi me të gjithë aleatët tanë, disa herë pajtohemi disa herë nuk pajtohemi. Patjetër që për ketë hap ne jemi koordinuar”, tha ai gjatë një konference për media pas vendimit.

Uniforma e emblema të organizatave që tashmë janë të njohura në veriun e Kosovës “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut”, janë gjetur javën e kaluar në Zveçan, ku policia e Kosovës konfiskoi armë e municion në një veturë me targa të Serbisë.