Analistët: Fokusi i Vetëvendosjes, t’i rikuperojë plagët pas largimit të 12 deputetëve!

Mosgjetja e një gjuhë të përbashkët për të hyrë në koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe për vet fatin e Vetëvendosjes pas largimit të 12 deputetëve, të cilët formuan PSD-në, është diskutuar në një debat politik në RTV Dukagjini.

Analistët kanë folur rreth subjektit të drejtuar nga Albin Kurti dhe fushatën që po bën ai para zgjedhjeve të 6 tetorit.

Imer Mushkolaj ka thënë se është tejet herët të flitet për prognozat, pasi që votuesit mund të vendosin në ditët e fundit të fushatës, por që sipas tij Vetëvendosje, po mundohet të plotësojë hapësirat që ka pësuar pas ndarjes që pati, përcjellë Indeksonline.

“Është herët ta japim prognozat, votuesit të cilët mund të vendosin, vendosin në ditët e fundit të fushatës. Fokusimi i Vetëvendosjes është që të rikuperojë plagët pas largimit të 12 figurave të rëndësishme të saj, të cilët kanë kalu në PSD, dhe këtë po përpiqet ta bëj edhe me afrimin e njerëzve të ri, të cilët po bëhen pjesë e VV-së, disa nga ta të recikluar, disa figura të reja.

Vetëvendosje do ta ketë në shënjestër LDK-në, do të jetë më e ashpër ditëve të ardhshme me kalimin e fushatës, pas mos gjetjes së gjuhës së përbashkët për koalicion”.

Edhe Muhamet Hajrullahu tha se ndonëse në VV po ka prurje të reja, prapë se prapë kjo parti po ballafaqohet me pjesën e PSD-së.

“Kemi pa një numër të aderimeve të shumta në VV, por në anën tjetër ballafaqohet për herë të parë në publik edhe para qytetarëve pa pjesën e PSD-së, figurave politike, fytyra eminente, se di a ka me mujt me mbulu atë pjesën e 12 deputetëve me fytyrat e reja që po i promovon Kurti. Ajo çka po më lën përshtypje tek VV dhe partitë, nuk po më pëlqen diskursi i gjuhës, e kur e din që pas zgjedhjeve ka me ndryshu për shkak të koalicionit”.

Ndërsa analisti Arben Ahmeti, beson se VV do ta përsëris fitoren e vitit 2017, por do të ketë më pak vota.

“Ka gjasë që VV të përsëris fitoren, gara është e vogël, dallimi mes partive është mes 20 mijë votave. Ka gjasa që të fitojë VV, por s’do të ketë numër sa ka pasur në zgjedhjet e kaluara dhe nuk e ka komoditetin që e ka pasur atëherë. Mendoj që VV ka bërë një hapje kualitative, me ardhje t reja. Duhet ta pranojmë që ka pas shumë fytyra, që do të duhej të ishin shkuar shumë më herët”.

Për Astrit Gashin asnjë parti s’do të mund të merr më shumë 30 për qind të votave, derisa gjasa të mira në këtë garë do të ketë VV dhe LDK.

“Pajtohem që 30 përqindëshi është shumë e vështirë të arrihet nga një parti politike. Por, dallimi mes partisë së parë dhe të dytë do të jetë tejet i vogël. VV them se ka shanse se të del e para, për dallim se LDK i ka gjasat më të mira në këto zgjedhje. Por, edhe PSD me AAK janë po ashtu mirë. Mi shiku dy javët e fundit, nga klima mediale e ka pas në dorë Albin Kurti. VV me aderimet e reja, ka dasht me jep mesazh se edhe pas ndarjes ka njerëz që shkojnë.