Aplikim online për të përfituar shtëpi të re nga rindërtimi, për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit

Të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit duke nisur nga 29 janari duhet të aplikojnë në platformën online të rindërtimit dhe të deklarojnë të dhënat për pasojat, që tërmeti ka shkaktuar në banesat e tyre.

Në një intervistë televizive ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, theksoi se “aplikimi në këtë platformë është i detyrueshëm për të gjithë që kërkojnë dëmshpërblim. Platforma do të ndihmojë që qeveria të ketë të saktë sipërfaqen që do të rindërtohet, zonën dhe llojin e banesës, ndërsa vetë qytetarët do të shohin online ecurinë e kërkesës dhe rindërtimit të shtëpisë së re”.

“Ne i kemi kërkuar njësive vendore që të ngrenë zyrat në çdo njësi bashkiake, ku , administratorët, zyrat e rindërtimit , kryepleqtë do të jenë përgjegjës që të hedhin formularët një nga një në platformë së bashku me aktet e konstatimit”, – tha Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj u shpreh se “ka nisur procesi i hartimit të modeleve të shtëpive të tyre, të cilat do të jenë si nga ana urbanistike dhe siguria të nivelit më të lartë, duke zbatuar euro-kodet dhe rregullat antisizmike”.

Sipas tij, Durrësi dhe Tirana kanë dëmet më të larta, ndërsa brenda faturës është llogaritur edhe kosto që tërmeti i ka shkaktuar ekonomisë.

“Më 4 Shkurt i shpërndahet donatorëve një letër sensibilizuese që të ndihmojnë Shqipërinë. Është bërë vlerësimi i dëmeve në disa sektorë të ekonomisë nga tërmeti, qoftë në parashikimin e rritjes, apo deri diku edhe të rënies”, – tha Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj thotë se “rindërtimi tashmë ka nisur. Deri tani janë dhënë 1500 leje me procedurë të përshpejtuar për të filluar ndërtimi i disa banesave”.

“Maksimumi për një vit e gjysmë qytetarët të gjithë do të jenë në shtëpitë e rikonstruktuara dhe të rindërtuara rishtazi, kjo nuk diskutohet”, – tha Ahmetaj./atsh