Arrestimi nga Specialja, Bahtjari e Januzi paraqitjen e parë në Hagë do ta kenë më 9 tetor

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar se ka arrestuar Ismet Bahtjarin dhe Sabit Januzin, të njëjtit janë transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në lidhje me këtë, Dhomat e Specializuara e Kosovës ka deklaruar se paraqitjet e tyre të para do të jenë të hënën, me datën 9 tetor.

Sipas njoftimit, sipas aktakuzës së konfirmuar, midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Januzi dhe Bahtjari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 për ta nxitur dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi.

“Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari u arrestuan dje, më 5 tetor 2023, në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të fletarrestimeve, urdhrave për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar të lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Z. Januzi dhe z. Bahtjari u transferuan në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovëssot, më 6 tetor 2023”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar e kreu arrestimin me ndihmën e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

“Sipas aktakuzës së konfirmuar, midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Januzi dhe z. Bahtjari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 për ta nxitur dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë përmes përdorimit të kërcënimit të rëndë”.

“Më tej aktakuza deklaron se z. Januzi dhe z. Bahtjari, në bashkëkryerje me individë të tjerë, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale me dëshmitarin 1. Sipas aktakuzës, kjo sjellje tregon se z. Januzi dhe z. Bahtjari synonin ta frikësonin dëshmitarin 1 dhe të pengonin persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhehetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare”.