Asociacioni i Komunave e vlerëson alarmante gjendjen me qentë endacakë

Shtimi i qenve endacakë nëpër rrugët e qyteteve të Kosovës në muajt e dimrit, ka rritur edhe numrin e sulmeve të tyre ndaj qytetarëve.

Një skenar i njëjtë i ndodhi edhe Nexhmedin Llapashticës nga Prishtina, i cili u bë cak i sulmit nga qentë endacakë disa ditë më parë, pranë Shkollës fillore “Iliria’’ në lagjen Kodra e Diellit.

Sipas Llapashticës, nivelet qendrore e komunale kanë punuar pak për ta rritur sigurinë e qytetarëve në vend nga sulme të tilla.

Përmes telefonit, drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i ka thënë KTV-së se rreziku nga qentë endacakë ekziston nëpër të gjitha komunat e vendit.

Derisa shtoi se përgjegjës kryesor për parandalimin e rrezikut nga ta është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës pasi, sipas tij, AUV-i ka përfituar tender në vlerë të miliona eurove nga qeveritë e kaluara, për ta trajtuar këtë problem.

Por, zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, tha se janë në pritje të miratimit të buxhetit të Kosovës për trajtimin e kësaj problematike.

Sipas Thaçit, trajtimi i qenve endacakë është nën përgjegjësinë e komunave, mirëpo mungesa e intervenimit të disa prej tyre në trajtimin e kësaj problematike ka bërë që Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit t’i bartet edhe kjo përgjegjësi.