ATK-ja paralajmëron me konfiskim të pasurisë kompanitë mospaguese të Trustit

Me fillimin e aplikimit për 10-përqindëshin e Trustit rreth 200 punëtorë kanë denoncuar punëdhënësit e tyre për mospagesë të kontributeve pensionale. Administrata Tatimore e Kosovës pret që ky numër të rritet brenda katër muajve sa do të zgjasë aplikimi, ndërkohë që ka paralajmëruar masat detyruese deri në konfiskim të pasurisë të kompanive që nuk e kryejnë këtë obligim ligjor.

ATK-ja ka bërë thirrje që të kryhen obligimet ndaj punëmarrësve e në rast se nuk ndodh kjo, zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa, ka treguar se cilat procedura do të ndiqen.

“Ndaj secilit tatim pagues i cili nuk i ka kryer obligimet tatimore në këtë rast edhe deklarimet dhe pagesën e kontributeve pensionale do të thotë të shkohet me bllokimin e llogarive bankare, konfiskimin e pasurisë dhe të ngjashme deri në kryerjen e obligimit të cilin e ka të hapur në institucionin tonë”, thotë Bytyqi-Sefa.

Në mënyrë që punëtorët që nuk kanë Trust të paguar të mos diskriminohen nga tërheqja e 10-përqindëshit, Bytyqi-Sefa thotë se këto masa do të ndërmerren brenda afatit 4-mujor. Numri i atyre që janë ankuar në ATK, sipas saj, ka qenë i madh nga premtja e javës së kaluar.

“Ne deri më tani prej momentit kur edhe është fuqizuar ky ligj, kemi pasur raportime, denoncime të ndryshme nga ana e qytetarëve, numri i tyre është diku rreth 200”, thotë ajo.

Zëdhënësja e ATK-së nuk ka dhënë një numër të saktë të kompanive e ndërmarrjeve në listën e mospaguesve të kontributeve pensionale, por ka thënë që lista është e gjatë.