Bajram Begaj merr zyrtarisht detyrën e Presidentit të Republikës

Bajram Begaj ka marrë zyrtarisht detyrën e Presidentit të ri të Republikës në një ceremoni të posaçme në Presidencës, ku u transferua detyra e kreut të shtetit nga Ilir Meta.

Në fjalën e tij në këtë ceremoni, Presidenti Bajram Begaj falenderoi Ilir Metën për përmbushjen e detyrës, teksa këtë ditë e konsideron më të rëndësishmen e jetës së tij.

“Për mua sot është një ditë e veçantë. Padyshim është dita më e rëndësishme e jetës time. Jam përpara jush dhe ju drejtohem me nderin dhe privilegjin më të madh të një individi të zgjedhur në postin më të lartë të një shteti. Ky besim më ngarkon me përgjegjësinë më të madh ndaj qytetarëve të vendit tim. Sot u betova për besnikëri ndaj Kushtetutës e ligjeve të vendit, për të mbrojtur pavarësinë e Republikës së Shqipërisë. Do të jem shërbëtor i popullit tim, përfaqësues i unitetit tonë kombëtar. Do të jem kontribues dhe përkrahës i komunikimit dhe bashkëpunimit, i nismave dhe ideve që zhvillojnë e çojnë përpara shoqërinë tonë. Interesi ynë i përbashkët mbetet konsolidimi i institucioneve. Të vijojmë në rrugën e Reformës në Drejtësi, sepse ndërtimi i një sistemi gjyqësor të pavarur garanton luftë pa komrpomis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.