Bashkëpunim policor Shqipëri-Mal i Zi gjatë sezonit turistik

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Malit të Zi, z. Veselin Veljovic firmosën sot në Mal të Zi Protokollin “Mbi bashkëpunimin gjatë sezonit turistik për vitin 2019”.

Në zbatim të këtij protokolli, Policia e Shtetit do të dërgojë në Malin e Zi 4 oficerë policie, dy prej të cilëve nga shërbimet e Policisë Kriminale dhe Strukturave për Hetimin dhe Parandalimin e krimeve dhe dy të tjerë nga shërbimet e Rendit dhe Sigurisë Publike, për periudhën kohore deri më 31.08.2019.
Ata do të kryejnë shërbimet e tyre në Stacionet Policore të Ulqinit dhe Budvës.

Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, së bashku me përfaqësuesit e Policisë së Malit të Zi, do të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme me qëllim forcimin e bashkëpunimit policor dhe parandalimin e veprave kriminale si: trafikimin e qenieve njerëzore dhe migracionin e paligjshëm, prostitucionin, trafikun e lëndëve narkotike, mashtrimet me policat e sigurimit për mjetet motorike, mashtrimet me kartat e kreditit dhe me shkëmbimin e parasë, falsifikimin e parave dhe dokumenteve personale, prishjen e qetësisë publike, parandalimin e aksidenteve rrugore, forcimin e sigurisë në rrugë, etj.

Veliu dhe Veljovic kanë vlerësuar si të shkëlqyer bashkëpunimin, që strukturat policore të Malit të Zi, kanë pasur me strukturat e tyre homologe në Shqipëri, gjatë sezoneve turistike dhe jo vetëm, si dhe rezultatet e arritura që prej vitit 2011, vit në të cilin është firmosur për herë të parë “Protokolli i bashkëpunimit gjatë sezonit turistik” midis Policisë Shqiptare dhe asaj të Malit të Zi, që konsiderohet si një ndër shembujt dhe praktikat më të mira për tu ndjekur.

Të dy Drejtorët e Përgjithshëm kanë rënë dakord që modele të tilla bashkëpunimi të aplikohen edhe në fusha të tjera, në shërbim dhe në të mirë të komunitetit, njofton policia e shtetit.