Bislimi i akuzoi mediat se “financohen nga Serbia”, reagon AGK: Kjo gjuhë vë në rrezik fizik gazetarët

Në konferencën e mbajtur për media sot nga kryeministri Albin Kurti dhe vartësi i tij i parë, Besnik Bislimi, ky i fundit nuk la pa goditur mediat, ashtu edhe si e kanë zakon klasa politike e pas 14 shkurtit.
Bislimi në moment që mori fjalën e tij në konferencë, nuk u kursye ndaj mediave, duke iu bërë një cilësim të aspak të këndshëm.

“Fjala ‘lëshim’ është përdorur qëllimisht nga mediat kosovare që paguhen nga Serbia e kanë bërë deformim të deklaratës për t’i dhënë kontacion negativ, kjo është konsecion që ka bërë pala kosovare, jo ndaj Serbisë por ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare, por jo që kemi hequr dorë nga marrëveshja finale”, tha Bislimi.

E për këtë deklaratë të Bislimit kanë reaguar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Ata ia kujtuan Bislimit që kjo nuk është hera e parë që ai I cilëson mediat kosovare me atë se paguhen nga shteti serb.

Ata dënuan këtë gjuhë të Bislimit, dhe thanë se kjo lloj gjuhe vë në rrezik fizik mediat dhe gazetarët në vend.

Reagimi i AGK:

Deklaratë e rrezikshme dhe e papranueshme e zv/kryeministrit Bislimi kundër medieve të Kosovës

Jo për herë të parë, zv/kryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, që udhëheq me negociatat me Serbinë, Besnik Bislimi ka sulmuar mediet kosovare, duke e bërë akuzën e rrezikshme se ato “financohen nga Serbia”.

Në konferencën për shtyp bashkë me Kryeministrin Kurti, kur është pyetur për lëshimet që ai i ka përmendur më herët në një intervistë për gazetën serbe “Danas”, ai ka bërë deklarata skandaloze.

“Fjala lëshim është përdorur qëllimisht nga media kosovare që kanë financim nga Serbia për me i dhanë konotacion…”, ka thënë Bislimi në konferencë.

AGK-ja, e dënon ashpër këtë gjuhë të papranueshme të njeriut të dytë të Qeverisë, dhe vë në pah se kur vjen nga niveli më i lartë i pushtetit vë në rrezik serioz, edhe fizik gazetarët e medieve kosovare.

Qeveria Kurti duhet të ndalojë së sulmuari mediet kosovare, dhe të lejojë ato ta bëjnë punën e tyre, duke përfshirë komponentin shumë të rëndësishëm të mbajtjes përgjegjës të pushtetit.