Bombardime pa pushim dhe sulm tokësor me mijëra ushtarë – Izraeli godet 150 tunele të Hamasit

Një natë e vërtetë ferri ka qenë ajo e fundit në Rripin e Gazës, ku bombardime pa pushim dhe një inkursion më i zgjeruar me mijëra trupa izraelite është zhvilluar përgjatë orëve të fundit, me një front të hapur të luftimeve kundër Hamasit.

Sipas të dhënave të nxjerra nga vetë Ushtria izraelite, 150 tunele nëntokësore, të cilat përdoren nga Hamasi për t’u fshehur dhe për të sulmuar janë goditur me sukses nga forcat izraelite, ku pjesë e aksionit kanë qenë edhe të paktën 100 avionë luftarakë.

Ky shënon edhe inkursionin e parë më të gjerë të shtetit hebre në Gaza, i cili mundet t’i pararendë një aksioni me shkallë të plotë, të paralajmëruar nga zyrtarët e lartë izraelitë.

Megjithatë, sytë e botës në të vërtetë shtrihen për nga civilët palestinezë, të cilët edhe vuajnë pasojat më të rënda të kësaj lufte.

Politikanë të lartë ndërkombëtarë, por edhe personalitete mediatike, e kanë etiketuar popullin palestinez si “më të harruarin në botë” aktualisht, pas një izolimi tërësor që i bërë nga Izraeli.

Çdo lidhje komunikimi është këputur me Gazën, përfshi edhe energjinë elektrike, telekomunikacionin dhe shërbimet e internetit.

Sipas organizatave humanitare që operojnë në Gaza, kjo e bën të pamundur verifikimin real të asaj çfarë po ndodh me palestinezët dhe akoma më të vështirë identifikimin e shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut, prej goditjeve izraelite.

Në vija të përgjithshme të operacioni, Izraeli pretendon se ka vrarë një tjetër komandant të Hamasit, i cili mendohet se ka ndihmuar në organizimin e sulmit të 7 tetorit, me 1 mijë e 400 viktima izraelite, i cili edhe i dha jetë këtij përshkallëzimi të ri të situatës.

Ushtria izraelite thotë se avionët e saj luftarakë goditën Asem Abu Rakaba, kreun e grupit ajror të Hamasit.

Forcat e Mbrojtjes thanë se Abu Rakaba ishte përgjegjës për UAV-të, dronët, parashutat, zbulimin ajror dhe mbrojtjen ajrore të Hamasit dhe kishte marrë pjesë në planifikimin e sulmeve të befasishme brenda Izraelit në fillim të këtij muaji.

Teksa me zbardhjen e ditës, detaje të reja pritet të zbulohen nga çfarë po ndodh në Gaza, për të parë edhe një bilanc paraprak të asaj çfarë kanë qenë pasojat e bombardimeve pa ndërprerje gjatë gjithë natës.