Cakaj: S’ka marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën që mund të kalojë pa u ratifikuar në kuvend

Përveç rolit mbështetës për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Qeverinë e Shqipërisë, Gent Cakaj, ka mohuar që shteti shqiptar mund të ketë ndonjë rol tjetër.

Cakaj deklaron se Shqipëria nuk mund t’i imponojë një marrëveshje të dëmshme Kosovës, derisa thotë se deri më tani kanë lobuar fuqishëm për njohje të Kosovës.

Në një intervistë për KosovaPress, ministri në detyrë i Jashtëm, thotë se Shqipëria nuk mund të ndihmojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, por që sipas tij, do të adresojnë si çështje në përpjekje për të rritur ndjeshmërinë për rëndësinë e saj.

“Për mua është shumë e vështirë të marrë rolin e interpretit për Kosovën. Sipas vet Komisionit Evropian, Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për të siguruar liberalizimin e vizave. Prej vitit 2014 deri më sot BE ka liberalizuar vizat për më shumë se 100 milionë banorë anë e kënd botës. Janë liberalizuar vizat në Ukrainë, Gjeorgji dhe një varg shtetesh të tjera që po të matet popullsia shkon më shumë se 100 milionë. Në këtë kuptim nuk ka hapësirë për shqetësim të natyrave çfarë shpalosen në raport me Kosovën, për një popullatë e cila është sipas censusit të fundit nëse nuk gaboj më pak se 2 milionë banorë”, deklaron Cakaj.

Ndërkohë, Cakaj konsideron se çështja e liberalizimit të vizave jo rrallë herë është politizuar, për çka sipas tij, gjykimi për Kosovën duhet të bazohet vetëm në rekomandimet e Komisionit Evropian.

“Ky proces shpesh herë është politizuar dhe janë shprehur shqetësime të cilat objektivisht nuk qëndrojnë. Dhe gjykimi për Kosovën duhet të bazohet në rekomandimet e komisionit. Dhe natyrisht progresin që ka bërë Kosova në shumë fusha. Korrupsion ka edhe në Shqipëri, pyetja për të hapur negociatat nuk është zhbërja totale e korrupsionit, sepse ky është një proces që varet prej disa njësive matëse. Progresi i Kosovës duhet të matet krahasuar me çështjen për të cilën po diskutojmë”, deklaron ai.

Ai thotë se Shqipëria ka pasur një qëndrim të qartë prej kohësh sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, për çka thekson se e mbështesin agjendën zyrtare të Kosovës.