Çitaku me kritika ndaj Speciales: Po bën ‘gjueti shtrigash’ të shkallës së gjerë në Kosovë

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka kritikuar Dhomat e Specializuara në Hagë, duke thënë se po bën “gjueti shtrigash” të shkallës së gjerë në Kosovë, transmeton Gazeta Metro.

Kritikat e Çitakut kanë ardhur pas bastisjeve të fundit të Speciales ndaj ish-këshilltarëve të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Të martën u bastis shtëpia e Artan Behramit, ndërsa të hënën banesa e Blerim Shalës dhe shtëpia e Bashkim Smakajt.

“Dhomat e Specializuara u krijuan për t’i hetuar pretendimet për trafikim të organeve. Ato tani kanë degraduar në organizimin e gjyqeve të politizuara në Hagë dhe në një ‘gjueti shtrigash’ të shkallës së gjerë brenda Kosovës kundër gazetarëve, ish-këshilltarëve, apo kujtdo me ndonjë lidhje me UÇK-në. Një perversitet i drejtësisë”, ka shkruar Çitaku në platformën “X”.