Deponohen në bankomat mbi 1.300 euro false

Në dy raste të ndryshme, në Prishtinë dhe Fushë-Kosovë janë raportuar deponime të parasë false, përmes bankomatit, në vlerë mbi 1 mijë e 300 euro, raporton teve1.info

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, në rastin e parë janë raportuar 870 euro false nga menaxherja e një banke në rrugën “Agim Ramadani” në kryeqytet, derisa rasti tjetër është raportuar nga punonjësja e bankës në Fushë Kosovë e cila ka deklaruar se i ka pranuar mbi 450 euro monedha metalike false.

Policia ka raportuar se të dyja rastet janë duke u hetuar.

“Rr. Agim Ramadani, Prishtinë 07.02.2024-09:45. Ankuesja femër kosovare, menaxhere e bankës ka njoftuar se në bankomatin e tyre janë deponuar 870 € që dyshohet të jenë të falsifikuara. Parat e dyshuara janë konfiskuar .Rasti duke u hetuar.

“Fushë Kosovë, 13.01-07.02.2024. Ankuesja femër kosovare, punëtore e bankës ka njoftuar se në bankomatin e tyre janë deponuar monedha metalike me vlerë rreth 451 € si dhe 2X5 € të letrës të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Parat e dyshuara janë konfiskuar. Rasti duke u hetuar”, thuhet në raportin policor.