Deputetët e Kuvendit debatojnë sot për dialogun Kosovë-Serbi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të diskutojnë sot për dialogun që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Seanca pritet të nisë në orën 12 derisa kërkesën me nënshkrime e kanë bërë deputetët e PDK-së.

Në kërkesën e nënshkruar nga nëntë deputetë të PDK-së për debat parlamentar për dialogun me Serbisë thuhet se dialogu në dy vitet e fundit ka hyrë në një rrugë që nuk po shkon drejt një marrëveshje finale.

“Rrjedhimisht, mbetet shqetësuese edhe qasja e Qeverise se Republikës së Kosovës në raport me disa çështje qe lidhen me këtë proces, duke përfshirë dhe mos u kufizuar edhe në raport me transparencën dhe llogaridhënien qe duhet ta karakterizojë të njëjtin”, thuhet në mocionin e PDK-së.

Dialogu Kosovë-Serbi ka nisur më 2011 për çështje teknike e më pas ka kaluar në nivele politike. Më 2013 ishte arritur marrëveshja dhe ishin vendosur nënshkrimet e liderëve të dy vendeve. Aty, në pikën e parë, të dytë, të tretë, katërt, pesë dhe gjashtë flitet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Më 2015, ishte arritur marrëveshja për Asociacionin e cila më pas ishte shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila kishte konstatuar se disa pika të statutit të Asociacionit nuk ishin në përputhje me Kushtetutën.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia po diskutojnë për një plan ndërkombëtar i quajtur “Plani franko-gjerman”, i cili parasheh edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara më herët si dhe nuk parasheh njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.

Ndërkombëtarët, përshirë zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe për të shkuar pastaj te “Plani franko-gjerman”. Kryeministri Albin Kurti ka pranuar të themelojë një Asociacion por jo para se Kosova dhe Serbia të arrijnë njohje reciproke.