Deputeti i Vetëvendosjes jep dorëheqje nga Komisioni Parlamentar për Arsim

Deputeti i LVV-së, Fitim Uka ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga Komisioni Parlamentar për Arsim, përcjell Fokusi.info.

Uka ka thënë se arsyeja e dorëheqjes së tij ka qenë paknaqësia me veten e tij, gjë që ka qenë si rezultat i asaj që nuk ka mundur të bëjë më shumë dhe se idetë e tij nuk janë mbështetur.

Tutje ai ka theksuar se nuk jam larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe as që ka ndërmend të bëjë një gjë të tillë.

Postimi i plotë i tij:

Përgjigje e shkurtër për medie

E vërteta është kjo: unë kam dhënë dorëheqje nga Komisioni Parlamentar për Arsim. Arsyeja kryesore e dorëheqjes është pakënaqësia ime me veten, por dhe pamundësia që e kam përjetuar për të bërë më shumë, duke qenë se shumica e ideve dhe propozimeve të mia nuk kanë gjetur mbështetjen apo nuk janë realizuar në këtë komision. Prandaj, e kam gjykuar që dikush tjetër mund të bëjë përfaqësim më të mirë duke mos u perceptuar si “pengesë”.

Ndërkaq, nuk është e vërtetë që jam larguar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe as që e kam ndërmend të bëjë diçka të tillë. Brenda apo jashtë Kuvendit unë do të jem në mbështetje të parimeve dhe vlerave të mirëfillta të Lëvizjes Vetëvendosje. Angazhimin tim për edukimin e hershëm si bazament për ndryshim, arsimin cilësor, përfshirjen e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, hulumtimin shkencor dhe për shumë tema të tjera do t’i realizoj në Kuvendin e Kosovës edhe për një kohë, si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje./Fokusi.info/