Dëshmitari i pestë në Speciale, thotë se ishte pjesë e UÇK-së

Dëshmitari i pestë në Dhomat e Specializuara të Hagës, po e vazhdon dëshminë e tij, kryesisht në seancë të mbyllur.

Përveç masave strikte mbrojtëse, pjesa më e madhe e dëshmisë së tij ka qenë e mbyllur. E në ato minuta sa ishte e hapur, dëshmitari ka bërë të ditur se ka qenë pjesë e UÇK-së.

Dëshmitari gjithashtu ka pretenduar se disa pjesëtarë të UÇK-së me maska, ia kishin kidnapuar disa anëtarë të familjes.

“Po. Këta kanë pasur uniforma të zeza me emblemat e UÇK-së. Edhe maska të zeza në fytyrë. Pasi e kam marrë kerrin, e kam marrë edhe armën edhe i kam hyp kerrit që i kanë marrë të afërmit e mi me maska. Me dalje të fshatit i kanë zbrit dy të afërmit e mi nga makina, edhe babën e kishin lanë mrena në makinë”, deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari më u pas u ballafaqua me pyetjet e mbrojtjes së Hashim Thaçit. Njëri nga avokatët e pyeti dëshmitarin nëse ka pasur ndonjë dokument apo dëshmi, që e vërteton se ai ishte pjesë e UÇK-së.

“Unë jam dalë në ora 2 të natës atë natë. Të nesërmen i ka marrë shënimet komandanti kush ka qenë. Nuk më kanë dhënë ndonjë kartelë”, deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari tha se ata i blenin vetë disa materiale, e më pas i qepnin.

“E kam blerë vetë. Se nuk ka pasur. E kam blerë vetë. Si kamuflazh e kena paguar vetë. Si cerada, ato i këna ble e ato i këna qepë. Në rast se nuk ke pasur armë, ti s’ke pas nevojë as me ble as…Nuk mundem me thanë për askënd. Nuk besoj që dikush ka blerë uniformë pa qenë i kyçur”, tha dëshmitari.

Në aq pak minuta sa ishte seanca publike, avokati mbrojtës e pyeti dëshmitarin nëse i kishte parë personat që ia kishin kidnapuar familjarët. Dëshmitari tha se i ka parë disa, por që nuk ka guxuar të afrohet pasi ishin me armë.

“E kam parë 1 dhe 2. Treshin nuk e kam parë. Po edhe ai u kanë mrena po nuk e kam pa. Me sytë e mi i kam parë 1 dhe 2 kah janë shkuar poshtë. Nuk më lanë ata me maska me u afru. Kerri ecke, ata mrapa kerrit, dhe ma drejtoj armën tha nuk ki nevojë me u afru më afër”, deklaroi dëshmitari më tutje.