Dëshmitari Selatin Krasniqi rrëfen për objektet në Zllash, spitalin provizor që e bënë aty dhe të plagosurit

Dëshmitari i dymbëdhjetë i mbrojtjes, Selatin Krasniqi në seancën e së enjtes, ka rrëfyer për objektet në Zllash, për spitalin provizor që e bënë aty dhe për të plagosurit nga Vitia e Marecit.

Fillimisht, Krasniqi tha se më 24 mars 1999, ka qenë në shtëpinë e tij, në Zllash, ku kishte shkuar dikur në nëntor të vitit 1998, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dikun në ‘98 mes korrikut dhe fillimit të shtatorit, UÇK kërkoi nga prindërit e mi, axha, axhallarët t’ua lirojmë shtëpinë. Personi që ia lirum shpinë ka qenë Rrahman Dini, me pseudonimin Bali. Më pas, unë si i ri kam mbajt ka pak armatim, veshmbathje e sene dhe policia serbe e mori vesh në nëntor të 1998. Më arrestoi, por pas dy tre ore baba intervenoi dhe ika e dola në Zllash”, sqaroi ai.

Ai tha se në Zllash ka shkuar pasi aty e kishte vendin dhe nuk kishte ku të shkonte tjetër. Kjo shtëpi ku ka qëndruar në Zllash, tha se ishte në pronësi të axhës së tij nga viti 1920.

“Me 1 prill ose 2, pas depërtimit të Prishtinës, u kon një pjesë e familjes, baba, nana edhe motra, jo krejt familja”, rrëfeu tutje ai, të cilët tha se qëndruan në atë shtëpi tre ditë, pasi kishte kërkuar nga babai të shkonin diku tjetër.

Krasniqi tha se anëtarët e familjes kishin shkuar në lagjen “Cubaj”, ku kishin qëndruar deri në ofensivë, e cila tha se filloi diku më 17 prill.

“Në Prapashticë e fshatra tjera ka fillu ma herët, por në Viti të Marecit ka fillu me të 17 nëse nuk gaboj”, tha dëshmitari Krasniqi.

Dëshmitari Krasniqi tha se më 26 ose 27 mars kanë shkuar në Prishtinë, ku e ka ditur terrenin dhe i ka dërguar disa grupe deri në fshatin Butovc, disa i ka lënë në Mramor, e së fundi tha se ka hyrë në Prishtinë me disa persona.

Në Prishtinë tha se kishte qëndruar deri më 30 mars ose 1 prill 1999, por se nuk i kujtohet saktë kjo datë.

Kurse, shtoi se nga Prishtina, pastaj ishte kthyer në Zllash, ku tha se kishte arritur në orën tre apo katër të mëngjesit të 1 prillit 1999.

“Pas tre-katër dite jam ardhë prapë në Prishtinë, i kam marrë disa gjëra ushqimore për familjen dhe jam kthy prapë në Zllash”, u shpreh ai, kurse theksoi se ka shkuar prapë në Prishtinë me datën 3 ose 4 të prillit 1999.

Në atë vend, në Zllash, ai tha se ishin diku gjashtë dhoma të fjetjes të gatshme.

Më pas, atij iu tregua një fotografi, për të cilën tha se është vend në fshatin Zllash, ku kanë qenë shtëpitë e tyre e se aty kanë qëndruar Rrahman Dini, personi me nofkën Shpendi, Isa Kastrati e të tjerë.

Tutje, ai rrëfeu lidhur me pyetjet e avokatit Julius Von Bone për strukturën e objektit që ishte në fotografi, që nuk u bë e njohur për publikun.

Ky dëshmitar deklaroi se pasi kanë biseduar me prindërit e tij, axhallarët e babanë e tij, personat janë lejuar të qëndrojnë në atë vend, ku deri në përfundim të luftës tha se i tyre ka qenë vendi.

Ndërkaq, ka shtuar se janë lejuar të qëndrojnë aty me sa i kujtohet nga 15 gushti 1998.

“Sot 23 vjet na jena dalë prej atyhi dhe e kanë shkatërru forcat serbe”, tha Krasniqi.

Në periudhën mars-prill të vitit 1999, dëshmitari tha se kur ishte në Zllash qëndronte në 3, 4, 2 ose 12, duke iu referuar vendeve që i rrethoi me stilolaps në fotografi, por nuk shiheshin nga publiku.

Kurse, Rrahman Dini e të tjerët, dëshmitari bëri të ditur se ishin pjesëtarë të UÇK-së dhe i përkisnin Brigadës 153.

“Nuk më ka interesu as m’i vet, me kon je, qysh je, e kanë pas të njëjtin qëllim krejt”, tha Krasniqi.

Lidhur me personat nga zona e Karadakut, Krasniqi ka deklaruar se një pjesë e tyre kanë qëndruar në shtëpinë e familjes së tij në Zllash.

Ai tha se më 1 prill 1999 kur është zgjuar dhe ka dalë në oborr, kanë qenë diku mbi 100 persona, ku ka pasur edhe gra e fëmijë.

Kurse, gjithë këta njerëz, tha se kishin ardhur nga Prishtina pasi forcat serbe i kishin dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre.

“Kjo shtëpia këtu në Zllash kufizohet me disa fshatra tjerë, edhe prapa këtu numrit 1 është një rrugë që të çon në Prapashticë, Keqekollë, Marec, është një rrugë transiti. Kanë nejt civilë këtu, 2 ditë apo 3 ditë, i kena përcjellë kush ka pas të afërm në fshat tjetër, janë ardhë tjerë, e kështu me radhë”, bëri të ditur Krasniqi.

Sipas Krasniqit, ai ka pasur një traktor dhe ka pasur familje që i ka dërguar deri në Keqekollë, Koliq, Marec, dhe se ka pasur edhe shumë djem të tjerë, ku iu kanë dhënë edhe ushqim e po ashtu edhe i kanë përcjellë.

Tutje, iu tregua edhe një fotografi tjetër, për të cilën tha se në atë fotografi është Kadri Krasniqi, i cili është xhaxhai i tij, të cilin e ka thirrur me epitetin “babë”.

Edhe në vijim, ai vazhdoi të fliste për strukturën e shtëpive, hyrjet e daljet, dhomat, odën, e tjerë.

Lidhur me një bodrum, dëshmitari tha më 1999 nuk është përdor, përpos nëse ka rënë shi e ka pasur njerëz shumë, ku kanë hyrë e kanë qëndruar derisa është ndalur shiu.

“Rrahman Dini në realitet ka nejt në odë këtu, janë kon shtretërit, tani më 20 prill u bo si qendër spitali muj me thon, ku i kena pru të plagosurit prej Vitisë së Marecit, u kon dy dhoma ka pas”, tha tutje ai.

Në këtë spital provizor, dëshmitari tha se ka punuar Teuta Hadri, Ibadeti dhe se ka pasur edhe infermierë të tjerë, të cilët i ka njohur.

“Ka qenë Avnia, dy Avnia jon kon, Kadria, jon kon 17-18 me ja nis me i përmend me emra, a më shumë”, tha tutje ai.

Sipas tij, më 20 prill 1999, gjatë granatimeve në Viti të Marecit, disa ushtarë kanë vdekur, disa janë plagosur, por jo vetëm nga ky vend, por edhe nga vende të tjera.

Të ngjajshme

Trendafilova cakton Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të…

21 Pri, 2022, 10:01

Dëshmitari thotë se s’ka shumë njohuri për njësitin…

20 Pri, 2022, 17:00

DhSK: Trendafilova caktoi panelin e Apelit për të trajtuar…

14 Pri, 2022, 15:08

“Kur kena mrri ka 12 e natës aty, u kon tmerr, d.m.th në këto dy dhoma, lypshin ndihmë, nuk kishin mundësi infermierët me ju dhon, se s’kishe mundësi të mjaftueshme. Ibadetin që e ceka e kam pas edhe në lagje ku banoj në Prishtinë, e kam njoft edhe ma herët”, tha dëshmitari Krasniqi.

Kurse, tha se nga 17 prilli nuk ka qenë në Zllash, por në Viti të Marecit dhe diku është dashur t’i lënë ata të plagosur e nuk kanë mundur t’i lënë jashtë, prandaj i sillnin në atë objekt, e sipas tij 100% ka pasur edhe në objektet e tjera persona të plagosur.