Dhimbjen e Beharit e ka çdo luftëtar i UÇK-së

Një djalosh shtatlartë, shumicën e kohës duke ecur i vetmuar, apo raste të rralla ulur në tavolinë me ndonjë shok të luftës.

Ky është Behari, që së bashku me disa të tjerë, ishin akuzuar për vrasjen e gjashtë të rinjve serb në kafiterinë “Panda” në Pejë. Më vonë, shteti serb, ka pranuar se kjo vepër makabër është kryer nga vet “sigurimi” i atëhershëm i regjimit të Millosheviqit.

Behari ishte i pafajshëm. Faji i vetëm i tij, ishte se në qershor të vitit 1998, ai u nis në drejtim të Gllogjanit, ku ndodhej Shtabi i Zonës Operative të Dukagjinit, në kërkim të lirisë.

Pas luftës, pasojat e torrturave në burgjet serbe, i lanë vragë në shpirt. Dhembje që nuk shërohen nga mjekësia e as nga dashuria që i ofrojnë familja dhe shokët e luftës.

Shteti i Kosovës, edhe pse është i obliguar me ligj, që nga viti 2011, ende nuk ka hapur Qendrën Post Traumatike për Veteranët e Luftës. Të paktën, aty do të trajtohej në mënyrë më profesionale, Behari dhe shumë shokë të tij, edhe pse mjekët kanë bërë të pamundurën për të, e sidomos ata mjekë që ishin edhe bashkëluftëtarë të tij.

Gazmend Syla, deputet në Kuvendin e Kosovës, ka postuar në Facebook, një fotografi me bashkëluftëtarin e tij Behar Bajri, me postimin në vijim:

“Behar Bajri nga Peja, është luftëtar i UÇK-së, i inkuadruar që nga qershori i vitit 1998 në Gllogjan. Gjatë kohës së luftës Behari merr leje për të vizituar familjen e tij në Pejë. Me të marrë vesh policia serbe e rrethojnë shtëpinë e familjes Bajri dhe e arrestojnë Beharin. Gjithashtu arrestohen edhe Vllaznim Përgjegjaj, Beqir Loxhaj, Gazmend Bajrami, Agron Kollçaku dhe Xhevdet Bajrami.
Behari, Vllaznimi, Beqiri, Gazmendi, Agroni dhe Xhevdeti do të akuzohen nga Serbia për rastin e quajtur “Panda” në Pejë ku vriten disa djem të rinj serb, krim të cilin Serbia e pranoi që e kishte bërë vet. Megjithatë këta luftëtarë u dënuan dhe përjetuan tmerrin e burgjeve serbe. Vllaznimi shpëtoi me plagë më të lehta, poashtu edhe Agroni, Gazmendi ,Beqiri dhe Xhevdeti ,por Behari nuk ia doli.
Sot, Behari, neve bashkëluftetarëve të tij na i then zemrat. Serbia e dëmtoi mentalisht aq shumë sa që e la të vuaj tërë jetën.
Behari jonë çdo ditë e tregon fytyrën e vërtetë të Serbisë. Çfarë na duhet liria ne bashkëluftetarëve të Beharit, kur e shohim kështu. Dhimbjen që e ka Behari e ka çdo luftëtar i UÇK-së, kush më pak e kush më shumë.
Historia do të shkruaj për ju o trima, andaj ne do ju respektojmë përgjithmonë.
Behar ti je vlerë, e ata që na goditen Ne, janë monstrumët e Ballkanit dhe jo vetëm. Janë turpi i të gjithë njerëzimit”.