Dhuna në qendrën e të moshuarve është denoncuar që para një viti, Berat Buzhala lexon e-mailin

Ngjarja tronditëse në Kosovë, ku një grua e moshuar u dhunua në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, nga ato që duhet të kujdeseshin për të, ka ngjallur reagime të shumta. Dhuna e ushtruar ndaj të moshuarës është e filmuar nga vetë infermieret, në video duket vetëm njëra  prej tyre, ndërsa dëgjohen zërat e të tjerave që qeshin.

Kjo ngjarje e rëndë ishte edhe tema e emisionit “Opinion” në  Tv Klan, ku njëri nga të ftuarit, Berat Buzhala e ka cilësuar si hipokrite këtë vëmendje tani, pasi sipas tij, ministria e punëve sociale të Kosovës ka marrë një informacion për dhunën e ushtruar në këtë institucion edhe më herët. Në një lidhje direkte për emisionin ai lexon edhe e-mailin e dërguar që në shtator të vitit 2021, në të cilin dënohej dhuna e ushtruar në po të njëjtën qendër.

Blendi Fevziu: Berat, ishte tronditëse videoja. Duket se ka patur një reagim edhe pse duhet ta them edhe reagimet që e kontestojnë këtë video edhe ato janë në shumicën e rasteve të dhunshme, të varet, të pushkatohet t’i pritet koka. Kur dhunës i përgjigjesh me të njëjtën sens dhune asnjëherë nuk sjell të njëjtin rezultat. Çfarë informacionesh ekstra ka?

Berat Buzhala: Fevzi si pikë e parë kisha dashur të lexoja një e-mail të Shtatorit të vitit të kaluar ku një familjar e lajmëron Ministrinë e Punëve Sociale të Kosovës për dyshimin që në atë shtëpi përdoret dhunë ndaj pleqve. Ta lexoj?

Blendi Fevziu: Po, patjetër!

Berat Buzhala: Emaili është dërguar nga Tomorr Hasani më 20 Shtator të vitit 2021.

Blendi Fevziu: Para një viti!

Berat Buzhala: Kjo rrahje ka ndodhur para dy a tre viteve, nëse institucionet  do e kishin marrë parasysh këtë e-mail, nuk do kishte ndodhur kjo që  ka ndodhur. “Të nderuar zonja dhe zotërinj, përmes kësaj shkrese dua të ndaj me ju një ankesë të familjares sime e cila është në rezidencën për të moshuar. Ajo ankohet se infermieret kanë sjellje të pahijshme dhe zhvlerësuese ndaj të moshuarve që janë të vendosur aty. Kjo ndodh posaçërisht  në ndërrimin e natës, kur të moshurave me nevoja të veçanta u nevojitet ndihmë për gjërat që nuk mund t’i kryejnë vetë”. E-maili është më i gjatë, por ky është thelbi.

Blendi Fevziu: Pra që para një viti ka pasur informacion për dhunë në të njëjtën qendër.

Berat Buzhala: Patjetër. Tani problemi është te hipokrizia e njerëzve në rrjetet sociale.

Blendi Fevziu: Ky është një problem pop aq i madh sa video, kjo hipokrizia e njerëzve që turren dhe e harrojnë për gjysmë ore.  E shikojnë vetëm për protagonizëm.

Berat Buzhala: Unë mund ta sjell në studion tënde një grua shqiptare e cila është dhunuar seksualisht nga forcat serbe ka fëmijë me forcat serbe, nga dhunuesi ka një vajzë, është e harruar  nga shoqëria dhe jeton në mjerim. Shoqëria te ne nuk është aq ematike saç duket sot. Shoqëria ka nevojë për protagonizëm në kurriz të kësaj zonjës. Fati ose fatkeqësia jonë është se ky krim është  grafik dhe tani  e shikojmë që ndodhin sepse ne nuk jemi shoqëri humane./tvklan.al