Dugolli njofton se VV-ja nuk tërhiqet nga punësimi i militantëve: Ka përfunduar koha kur diskriminoheshin

​ Përmes një postimi në Facebook, deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, në lidhje me punësimet e militantëve të Vetëvendosjes në institucionet publike të vendit,  ka thënë se “opozita e Kosovës po shpikë tema të reja artificiale për ta lënë nën hije suksesin e Kosovës për mos mbajtjen e zgjedhjeve serbe”.

Sipas tij, “nuk mund të gjykohet dhe diskriminohet askush mbi bazën e përkatësisë partiake, rajonale apo etnike.”

Në lidhje me punësimet e militantëve të VV-së, deputeti Dugolli ka shkruar se,  “Ka përfunduar koha kur anëtarët e Vetëvendosjes janë diskriminuar vetëm pse i përkisnin asaj. Meritokracia është parim i cili duhet aplikuar me korrektësi ndaj secilit/secilës.

Postimi i plotë:

Kur disa “analista” e përfaqësueses të partive opozitare kërkonin “maturi” të vendimevev në dëm të sovranitetit dhe integritetit shtetëror për organizimin e zgjedhjeve serbe në Republikën e Kosovës, Kryeministri Kurti ishte i vendosur që të mos bënte gabimet e së kaluarës dhe nuk shkeli Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Tani kur po shihet se gjithçka shkoj si duhet, ata që merakosëshin për zgjedhjet e Serbisë, në vend që t’i gëzoheshin një suksesi për vendin, po shpikin tema dhe agjenda artificiale për të mbajtur nën hije suksesin e Kosovës.

Prokuroria është e mirëseardhur dhe le ta kryen punën e vet nëse ka diçka. Mirëpo, nuk mund të gjykohet dhe diskriminohet askush mbi bazën e përkatësisë partiake, rajonale apo etnike.

Ka përfunduar koha kur anëtarët e Vetëvendosjes janë diskriminuar vetëm pse i përkisnin asaj. Meritokracia është parim i cili duhet aplikuar me korrektësi ndaj secilit/secilës.

Barazia dhe drejtësia është moto jona!