Dukagjin Gorani: Veriu i Kosovës është një territor i kontestuar

“O do kemi krahinë autonome e ekonomike të serbëve në veri, o do kemi shkëmbim të territoreve”.

Opinionisti Dukagjin Gorani duke iu referuar vizitës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmanit në veri të Mitrovicës, ka thënë ajo pjesë e territorit është e kontestuar.

Në emisionin Rubikon në Klan Kosova, ai ka shtuar se nëse veriu si i tillë nuk do të ketë zgjidhje sipas standardeve evropiane, atëherë palët do të detyrohen të marrin një vendim gjeopolitik.

Sipas tij, o do të ketë krahinë autonome e ekonomike të serbëve në veri, o do të ketë shkëmbim të territoreve.

“E vërteta është që ne deshëm apo s’deshëm veriu i Kosovës është një vend i kontestuar. Kjo vizitë dhe prej kësaj vizite, Osmani dhe Kurti e kanë marrë vesh një realitet që ekziston në veri tash e 20 vjet”.

Ai ka shtuar se veriu i Kosovës është territor i kontestuar që nga marrëveshja e Kumanovës.

“Veriu do të jetë po ashtu pjesa kryesore e procesit të dialogut me Serbinë dhe zgjidhja e veriut nënkupton zgjidhjen e krejt procesit”.

“Veriu si i tillë nëse nuk do të ketë zgjidhje sipas standardeve evropiane; atëherë do t’i shtyjnë palët drejt marrjes së një vendimi gjeopolitik”.