Dy vajza që shkuan nga Italia në Kosovë dyshohet se janë prekur me koronavirus

Dy persona, të dyja femra, njëra e vitit 2000, tjetra 1997, janë pranuar në Infektiv me dyshimet për koronavirus. Analizat për to janë marrë dhe pritet të dalin sot gjatë ditës. Të dyja femrat janë izoluar në dhomat e veçanta në Klinikën Infektive.

Në Klinikën Infektive të QKUK-së, dy vajza dyshohet se janë prekur me koronavirus. Mjeku i infektivit në Klinikën Infektive të QKUK-së ka konfirmuar se dy vajzat janë shtetase të Kosovës që kanë ardhur nga Italia.

“Po janë dy vajza të dyshuara, jemi në pritje të rezultateve. Ato kanë ardhur nga Italia, janë të moshës 20 dhe 23 vjeç”.

Deri më tani në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 57 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka bërë thirrje qytetarëve që të shtojnë kujdesin, si dhe kanë dhënë disa rekomandime, që të shmangen kontaktet e ngushta me njerëzit që vuajnë nga infeksionet akute të frymëmarrjes dhe të mbahet higjiena personale.

Deri më tani në QKUK janë bërë analiza të disa personave dhe asnjë nuk është diagnostikuar me virusin e quajtur Covid-19. Në Shqipëri ndërkohë të dielën mbrëma janë konfirmuar dy raste të prekura me koronavirus. Njëri prej të prekurve kishte ardhur nga Italia, ndërsa është infektuar edhe babai i tij.

Kurse, Ambasada e Kosovës në Itali iu ka bërë thirrje shtetasve kosovarë t’i reduktojnë lëvizjet dhe fluksin në zyrat dhe ambientet publike. Sipas një njoftimi në faqen e tyre zyrtare në Facebook, ata thonë se Ambasada do të jetë në gatishmëri të qytetarëve që kanë nevojë për shërbime.

“Në kuadër të dispozitave dhe masave të Qeverisë italiane lidhur me emergjencën e krijuar nga COVID-19, dhe për sigurinë e të gjithë shtetasve kosovarë dhe të stafit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë, u bëjmë thirrje shtetasve tanë që të reduktojnë lëvizjet dhe fluksin në zyrat dhe ambientet publike, duke qëndruar në shtëpi pranë familjeve”, thuhet në njoftim.

Ata kanë vendosur numrat e telefonit përmes të cilëve qytetarët mund ta kontaktojnë ambasadën. “Luteni, për çdo emergjencë, telefononi tek numri në dispozicionin tuaj 24/7: + 39 327 452 6991”.

“Në këto momente duhet të jemi të gjithë më solidarë, ta respektojmë dhe ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës e Kosovës në Itali. Gjatë ditës së djeshme, Kosova ka vendosur të anulojë të gjitha fluturimet që vijnë nga zonat e prekura nga koronavirusi në Itali.

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se këtë rekomandim emergjent e kanë marrë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane për Italinë veriore.

“Sot, në ora 12:40 kemi pranuar rekomandim emergjent nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë për anulimin e të gjitha fluturimeve që vijnë nga zonat epidemike të Italisë së Veriut – si refleksion i karantinës së vendosur nga qeveria italiane në betejën kundër Coronavirusit. Si rrjedhojë, kam kërkuar anulimin e përkohshëm të të gjitha fluturimeve që vijnë nga kjo zonë epidemike e cilësuar si zonë me risk të lartë. Fluturimet janë ndërprerë. Ndjejmë keqardhje për masat e marra – por në situatën e tanishme nuk kemi alternativë. Jam në kontakt të ngushtë me Ministrin e Shëndetësisë Vitia dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Konjufca për të koordinuar kontrollin ne Aeroport dhe asistencën eventuale ndaj udhëtarëve në zonat e rrezikshmërisë së lartë”.