Dyshime për korrupsion në Ministrinë e Liburn Aliut, publikohen përgjime

Disa përgjime që ngrisin dyshime serioze mbi një aferë korrupsioni që përfshin edhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që udhëhiqet nga ministri Liburn Aliu, është publikuar sot.

Në emisionin “Ditari i Buzhalës” në Gazetën Nacionale, sot është trajtuar një rast korrupsioni që dëmton interesin publik dhe ku përmendet dhe emri i ministrit Aliu.

Bëhet fjalë për kompaninë “Infratek”, ku kishte punuar këshilltari i ministrit Aliut, Florent Ramqaj, e cila është pronë e dajës së tij, Halil Jahaj.

Në përgjimet e publikuara, Idriz Shala, një punëtor i kompanisë “Infratek”, dëgjohet teksa kërkon ryshfet në emër të kompanisë dhe pronarit të saj Jahaj nga një kompani tjetër.

Raportohet se “Infratek” është kontraktuar nga institucionet për të bërë pranimin e disa projekteve infrastrukturore dhe në saje të saj, kompania “shfrytëzon kompetencën” e saj për të kërkuar ryshfet nga një tjetër kompani në mënyrë që t’i bëhet pranimi i projektit të përfunduar.

Projekti konkret, sipas gazetës, lidhet me ndërtimin e rrugës Gjakovë-Dollc.

Krejt dyshimet bien mbi këshilltarin Ramqaj dhe rrjedhimisht ministrin Aliu, për shkakt afërsisë së madhe të Ramqajt me kompaninë “Infratek”, e cila përmes kompetencës së marrë, ka një pushtet mbi kompanitë tjera, të cilave u lëshohen pagesat vetëm pas miratimit të projekteve nga kompania e afërt me këshilltarin e ministrit.

Në përgjimin e publikuar, Shala, në emër të kompanisë “Infratek” kërkon 30 mijë euro nga kompania punëkryese. /GazetaExpress/