E rëndë: E mitura në Drenas tenton t’i japë fund jetës së saj, dëshiroi të hidhet nga një ndërtesë

Vetëvrasja është fenomen shqetësues në rritje në shoqërinë tonë. Faktorë rreziku që shtyjnë drejt këtij veprimi shpeshherë mund të jenë gjendja e rënduar psikologjike dhe emocionale, depresioni, ankthi, bipolarizmi, abuzimi me alkool dhe substanca narkotike e gjendja e vështirë ekonomike, raporton Gazeta Sinjali.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Ilaz Kodra’ në Drenas, ku një vajzë e mitur dyshohet se ka tentuar t’i japë fund jetës së saj.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 16-vjeçarja ka dashur që të hidhet nga lartësia e një objekti i cili është në ndërtim e sipër, por pas intervenimit të njësive policore, e njëjta është shpëtuar dhe është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas.

Pas dhënies së ndihmës së parë, mjekët e QKMF-së e kanë udhëzuar që të vazhdojë trajtimin mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Nuk dihen ende shkaqet që e kanë shtyrë të miturën të bëjë këtë veprim, mirëpo Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Tentim vetëvrasje’.