Ekskluzive/ Tensionet Rama Kurti rrezikojnë mbajtjen e mbledhjes mes dy qeverive

Mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Tiranës dhe asaj të Kosovës e planifikuar për tu mbajtur nesër në Gjakovë mund të anullohet pas rritjes së tensioneve Rama Kurti. Të dy kryeministrat kanë shkëmbyer batuta dhe kunja në distancë pa komunikuar personalisht mes tyre. Që kur prezantoi planin e tij konfidencial për asocacionein e komunave me shumicë serbe, Rama e shigjetoi Albinin se po prish marëdhënien e shtetit të ri me ndërkombëtarët.

Edhe të hënën me rastin e 32 vjetorit të Partisë Socialiste Rama shprehu hapur keqardhjen për faktin se si Aleksandër Vuçiç dhe Albin Kurti kishin refuzuar draftin e tij për asociacionin pa e lexuar përmbajtjen.

“Më vjen mirë që përpjekja për të dhënë një kontribut konkret për dialogun është pritur mirë nga aleatët. Ndërsa atyre që e kanë kundërshtuar, pa e ditur përmbajtjen si në Prishtinë dhe Beograd duke thënë se nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria, u them dy gjëra. Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë kur politika merrej me kush e tha dhe jo me cfarë tha.

Andi Bushati: Nuk ka nevojë Albini për Kosovën, por shqiptarët për Kurtin

Por sot i pyetur për këtë temë Albin Kurti nuk e kurseu sarkazmën.“Unë besoj se Rama beson që propozimi i tij është i mirë. Por nëse është kështu le t’ia propozojë atë presidentit serb Vuçiç në një nga mbledhjet e përbashkëta të Ballkanit të Hapur, që ta zbatojë për shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit edhe Medvegjës. Pikërisht për këtë kryeministrin e Shqipërisë e detyron edhe neni 8 pika 1 e kushtetutës së Shqipërisë” ironizoi Kurti.

Sipas burimeve brenda qeverisë shqiptare kjo kundërdeklaratë e ka nxehur së tepërmi Ramën aq sa mund të rishikojë edhe mbajtjen e takimit mes dy qeverive të planifikuar për të mërkurën. “Për momentin jemi njoftuar se nuk do të nisemi nesër për në Gjakovë” tha për Lapsi.al një zyrtar i lartë i ngarkuar të firmoste një nga 13 marëveshjet që do firmoseshin më 14 qershor mes dy qeverive. Pala kosovare nuk ka qenë e njoftuar për këtë sepse sot paradite kryeministri Kurti e konfirmoi mbajtjen e mbledhjes. Deri në momentin që po botohet ky lajm nuk ka një urdhër të dytë që të anullojë të parin.

©Lapsi.al