Ekspertja e lartë që po punon për vaksinën: Do vijnë edhe shumë viruse të ngjashme si Covid-19

Edhe shumë sëmundje të tjera me potencial pandemik kanë të ngjarë të transmetohen nga kafshët tek njerëzit në të ardhme të afërt për shkak të mënyrave të jetës moderne, sipas një profesoreshe të lartë.

Sarah Gilbert, personi që qëndron pas vaksinës Covid-19 të Universitetit të Oksfordit, tha se rritja e udhëtimeve në botë dhe rritja e popullsisë po rrit rrezikun e shpërthimit të infeksioneve zoonotike, shkruajnë mediet britanike, transmeton lajmi.net.

Sëmundjet që lindin nga kafshët janë shpeshtuar viteve të fundit. Kjo, për shkak të bujqësisë intensive të mishit dhe shpyllëzimit, të cilat i vendosin kafshët dhe njerëzit në afërsi të njëri-tjetrit.

Profesoresha Gilbert tha se pandemia e tanishme shfaqi në pah se si udhëtimi ndërkombëtar përkeqëson përhapjen e këtyre viruseve dhe shtetet me numër të lartë të popullsisë e bëjnë më të vështirë zhdukjen e krijesave mikro-organike.

Origjina e saktë e Covid-19 aktualisht është e panjohur, por ekziston konsensusi se ajo ka origjinën tek lakuriqët e natës.

“Për shkak të mënyrës se si po shkojnë gjërat në botë, ka më shumë të ngjarë që të kemi infeksione zoonotike në nivele pandemike në të ardhmen”, deklaroi Dr. Giblert për mediumin britanik The Independent.

“Dendësia e madhe e popullsisë, shpeshtimet në udhëtime, shpyllëzimi – të gjitha këto fenomene krijojnë ambientin e përkryer për përhapjen e virusëve”, shtoi tutje ajo.

Covid-19 ka provuar të jetë sëmundja më vdekjeprurëse dhe ngjitëse zoonotike deri më tani, pasi ka marrë jetën e 850,000 njerëzve në mbarë botën dhe të infektuar më shumë se 25 milionë prej tyre.