“Është përgatitur drafti për ‘Zajednicën’, jam i lumtur ta shoh”, krejt çka tha Kurti para shkuarjes në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti së bashku me zëvendësin e tij Besnik Bislimi janë nisur sot drejt Brukselit, ku nesër do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Të zhdukurit gjatë luftës dhe Asociacioni janë të parët në agjendë, ndërsa është lënë e hapur mundësia që të diskutohet edhe për çështjet aktuale politike.

Kurti para se të nisej për një takim tjetër me Vuçiqin tha se ende nuk e ka parë draft statutin e Asociacionit të komunave me shumë serbe që do të paraqitet në Bruksel .

“Duke pasur parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të kishte qenë më mirë sikur të ma kishin paraqitur fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që tashmë është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave”.

Kurti ka thënë se nuk do të lejojë krijimin e një forme të Republikës Srpska në veri të Kosovës.

Këto komente Kurti i bëri në një intervistë për median kroate “Hina” në prag të një raundi të ri të dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.