Falënderim nga familja e Nasim Haradinajt

Familja Haradinaj nga Gllogjani i Deçanit ka falënderuar të gjithë shqiptarët nga viset shqiptare dhe mërgatën, që gjetën kohë për ta vizituar Nasim Haradinajn pas lirimit nga Gjykata Speciale.

“Gjatë këtyre ditëve, vargu i njerëzve nga të gjitha viset shqiptare, nga mërgata, nuk ndërpreu asnjë moment për të shprehur mbështetjen ndaj zërit dhe vlerave të së vërtetës, zërit të luftës sonë çlirimtare. Mbështetja juaj dhe vendosmëria për të më shoqëruar më bënë të ndihem krenar, dhe ju falënderoj çdo individ në emrin tim dhe të familjes Haradinaj”, është thënë në deklaratën e familjes Haradinaj, raporton Fokusi.info.

Më tej theksohet se sot dhe në të ardhmen, familja e Nasim Haradinajt do të qëndrojë pranë popullit, pasi ardhja e masive e shqiptarëve nga të gjitha viset shqiptare i ka motivuar si familje për një angazhim të përbashkët në mënyra të ndryshme për këtë tokë.

Deklarata e plotë e familjes së Nasim Haradinajt:

Të nderuar qytetarë,

Gjatë këtyre ditëve, vargu i njerëzve nga të gjitha viset shqiptare, nga mërgata, nuk ndërpreu asnjë moment për të shprehur mbështetjen ndaj zërit dhe vlerave të së vërtetës, zërit të luftës sonë çlirimtare. Mbështetja juaj dhe vendosmëria për të më shoqëruar më bënë të ndihem krenar, dhe ju falënderoj çdo individ në emrin tim dhe të familjes Haradinaj.

Dje, sot dhe në të ardhmen, do të qëndrojmë pranë popullit, pasi ardhja juaj masive më ka motivuar për një angazhim të përbashkët në mënyra të ndryshme për këtë tokë.

Të dashur miq, shokë, dhe dashamirë!
Kulla e Ismail Haradinajt është hapur në çdo orë për çdo shqiptar, dhe secili prej jush është i mirëpritur! Nga kjo javë, do të rifillojë punën dhe aktivitetet e përditshme. Ju lutem për mirëkuptim në rast se ndonjëherë nuk mund të jem prezent për t’ju përgjigjur secilit.

Në emër të familjes, ju falënderoj të gjithë ata që na mbështesin në çdo formë dhe po e përkrahin betejën tonë të fundit, si dhe shokët tanë që po dëshmojnë pastërtinë e luftës sonë çlirimtare.

Me respekt,
Familja Haradinaj