Fluks në pikëkalimin kufitar të Vërmicës pas lehtësimit të masave

Pas lehtësimit të masave për lëvizjen e qytetarëve, është parë një fluks në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, ku një numër i qytetarëve po hynin në Kosovë.

Ndonëse shumica e tyre nuk po respektonin masat mbrojtëse, si mbajtjen e maskave, ata iu nënshtruan kontrolleve mjekësore ku edhe iu morën të dhënat e tyre personale, shkruan KP.

Mosrespektimi i distancës fizike ishte prezent veçanërisht ku qytetarët po prisnin për t’u kontrolluar.

Andi Nilo ka treguar se ka pritur dy orë për të hyrë në Kosovë. Derisa tregon për kontrollet mjekësore të cilave iu nënshtrua, ai ankohet se nuk pati shenjëzime për mbajtje të distancës fizike që po rekomandohet si masë parandaluese ndaj COVID-19.

“Nuk pati shenja për distancë. Na matën temperaturën, thanë të mbajmë distancë, por nuk ka as shenja se ku duhet të rrmë. Me fol po flitet, por me vepra asgjë nuk po bëhet, dy orë kam pritur”, është ankuar Nilo.

Nga Shqipëria drejt Kosovës sot ka marrë rrugë edhe Ermidon Agaj. Ai thotë se nuk i frikësohet rritjes së rasteve me koronavirus në Kosovë.

“Kishte kolonë, por ia vlen. U kontrolluam dhe na morën numrat e telefonit”, thotë ai.

Ndriqim Ngadica pas lehtësimit të masave ka zgjedhur të vizitojë Prizrenit. Ai tregon se është kontrolluar dhe ka dhënë informatat personale.

Të dielën Qeveria e Kosovës ka lehtësuar masat për lëvizje, ku është hequr rregulli i vetizolimit shtatëditor në rast se nuk ke një testim negativ për koronavirus në katër ditët e fundit.