Furgoni me dinarë s’u lejua të hyjë në Kosovë, flasin nga Dogana

Mediat serbe raportuan se sot një furgon me dinarë serbë nuk është lejuar që të futet në Kosovë, përmes pikë kalimit kufitar në Jarinje.

Lidhur me këtë detaje ka dhënë Dogana e Kosovës.

Zëdhënësi, Adriatik Stavileci, tha se aty ishin disa përfaqësues të një kompanie serbe e cila merret me transportin e parave.

Stavileci tha se furgoni i kësaj kompanie u kthy mbrapsht për shkak të mungesës së licencës nga BQK-ja.

“Me gjasë kanë qenë përfaqësues të një kompanie serbe që merret me transportin e parave. Ata kanë pyetur se nëse lejohet importi. Kompanitë që merren me këtë veprimtari fillimisht duhet të licencohen nga BQK-ja”, tha Stavileci për Klankosova.tv

“Kjo është pjesë e cila i takon kësaj të fundit. Por, neve na intereson licenca, nëse kompania e ka hyn, nëse nuk e ka s’mund të hyjë”, theksoi ai.