Gazetari Fidan Jupolli kërcënohet gjatë emisionit, policia po merret me rastin

Gazetari Fidan Jupolli ka bërë të ditur se është duke marrë në vazhdimësi kërcënime derisa sot gjatë ditës bashkë me Avokatin Arianit Koci rastin e ka lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës, raporton Gazeta Express.

Jupolli gjatë kohës sa ishte duke e intervistuar Ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiun në “DPT te Fidani” në T7 ka bërë të ditur se është duke marrë në vazhdimësi kërcënime. Ai thotë se disa persona e kanë kërcënuar me likuidim.

“Dua me e bë një denoncim publik, përderisa jemi duke e bërë intervistën, faqe të menaxhuara nga zyrtarë të LDK’së, fillojnë linçimet e mia publike të cilat janë tash e një javë ditë kështu që nëse pranohet ky denoncim i imi publik në këto momente unë jam i detyruar që të shkoj të hapi padi.

Sot gjatë tërë ditës kam marrë komunikata për likuidim apo përzamje nga Kosova, kështu që në prezencë të ministres, unë them jam i paanshëm”, ka deklaruar Jupolli.

Jupolli ka bërë thirrje për kryeprokurorin e shtetit dhe për kryetarin e LDK’së, Isa Mustafën që të ndalen këto linçime ndaj tij.

Sot gjatë ditës ndërkaq i njëjti ka bërë të ditur se për këtë rast e ka lajmëruar Policinë e Kosovës, që tashmë ka nisur hetimet.