Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, punonjësja e ZPS-së thotë se ka qenë e përfshirë në punë të konsiderueshme në këtë rast

(Përditësuar, ora 12:12) – Punonjësja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Zenka Pumper ka deklaruar se ka qenë e përfshirë në punë të konsiderueshme në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Gjatë dëshmisë së saj në seancën e së hënës, ajo ka bërë të ditur se është punonjëse e ZPS-së dhe se titulli i saj është hetues, por brenda për brenda është koordinatore e hetimit.

Ajo tha se në kuadër të punëve të saj janë intervistimi i dëshmitarëve, analizimi i provave, shkrimi i raporteve, përgatitja e planeve të punës, etj.

“Kam qenë e përfshirë në numër të konsiderueshëm të punëve në rastin Gucatit e Haradinajt”, ka thënë ajo.

E tutje ka treguar për pjesët që i ka mbuluar në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë kam koordinuar kontrollin, kërkimin që ka ndodhur në OLV e UÇK-së dhe kam koordinuar kërkimin, kam përpunuar një pjesë të mirë të provave, kam raportuar kontrollin e kryer dhe rishikuar një pjesë të konsiderueshme të materialit, ne veçanti ato që janë sekuestruar”, ka thënë ajo.

Ajo tha se në deklaratat e saj i është referuar paketave të ndryshme të informacionit që janë sekuestruar nga OVL–UÇK.

“Paketa 1 është paketa e sekuestruar me 7 shtator dhe në datën 8 paketa 4 na u dha neve nga media ,nga organi mediatik, dhe kjo u pasua nga sekuestrimi i dytë, kam përshtypje që bëhet fjalë për datën 17 , dhe pastaj paketa e fundit me datën 22”, ka thënë ajo.

Tutje, dëshmitarja konfirmoi se ka analizuar e shikuar artikuj mediatik nga burime publike për këtë çështje dhe se ka përgatitur deklarata me shkrim apo raporte, njoftime zyrtare, lidhur me detyrat që ka kryer në këtë rast.

Prokurorja Valeria Bolicci po vazhdon t’i paraqesë dëshmitares dokumente materiale, të cilat thuhet se i ka shkruar e njëjta. Kjo e fundit po konfirmon se është nënshkrimi i saj në to dhe se i ka shkruar të njëjtat.

Për disa prej tyre po konfirmon se ka pasur mundësinë që t’i rishikoj dhe të jap korrigjimet apo sqarimet e saj.

Tutje, Pumper ka dëshmuar lidhur me një shënim zyrtar dhe procesverbal të dorëzimit të dokumenteve të sekuestruara me 8 shtator në OVL-UÇK.

Dëshmitarja deklaroi se ndërhyrja e parë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) tek OVL-  UÇK, ku u krye sekuestrim ishte 8 shtator 2020.

“Kam shqyrtuar shënim zyrtar që është hartuar nga individët e përfshirë në sekuestrim, në atë shënim zyrtar përshkruhen hapat e ndërmarrë kam shqyrtuar edhe procesverbalin e dorëzimit që është hartuar kur kanë marrë provat dhe kam shqyrtuar edhe parashtrimin e bërë në databazën tonë”, ka thënë ajo.

Tutje, asaj iu tregua një dokument, për të cilin tha se e njeh e se në të shkruhet se është shënim zyrtar, ku shënimet zyrtare janë procesverbale të mbajtura nga hetues, analistë dhe punonjës të llojeve të tjera, dhe në to dokumentohen aktivitetet në formën e shënimit zyrtar.

Sipas saj, në të është përdorur modulari TIP që përdoret në shënime zyrtare, si dhe konfirmoi se shënimet zyrtare nënshkruhen nga autoret e tyre.

Tutje, ajo u deklarua edhe lidhur me procesin e dorëzimit të shënimeve zyrtare.

“Po. Procesi i dorëzimit është i thjeshtë, ajo që bëjmë ne është hyjmë , regjistrohemi në sistem, plotësojmë disa kuti në mënyrë elektronike, pastaj japim hollësi çka po dorëzojmë, datën e dokumentit, kush e dorëzon dhe shkruajmë një përshkrim të shkurtër se çka është. Pasi kemi dorëzuar, e printojmë dhe në këtë rast zakonisht marrim versionin e shtypur, shkojmë te njësia e provave dhe i dorëzojmë të dyja për tu përfshirë në prova”, ka thënë dëshmitarja Pumper.

E njëjta tha se kur dorëzohet në mënyrë elektronike krijon një numër të veçantë që kalon pastaj edhe në këtë regjistër.

Prokurorja Valeria Bolicci e ka pyetur dëshmitaren se si e përpunon CEMU këtë dokument, për çka Pumper u përgjigj: “E dorëzojmë si kopje të shtypur, e skanojmë dokumentin dhe ngarkojmë në databazë, por nuk është se e njoh mirë këtë proces, zakonisht ne u japim në versionin elektronik, pra dorëzojmë në forma DVD, të cilat pastaj ngarkohen”.

Sipas dëshmitares Pumper, çdo prove që dorëzojnë merr një numër të tillë ose vuloset me dorë, ndërsa numrat ERN të dokumenteve i cakton njësia CEMU dhe numri ERN shfaqet në dokument dhe regjistrohet në prova.

Shënimi zyrtar, për të cilin po deklarohej Pumper, ajo tha se përmban numër ERN dhe do të thotë se është dorëzuar zyrtarisht në databazën e provave të ZPS-së.

Në këtë shënim zyrtar, ajo tha se lënda është sekuestrimi, ndërsa data e aktivitetit zyrtar është 8 shtator, kurse autorin tha se e njeh dhe se i njëjti është oficer i sigurisë operacionale, pra personal i ZPS-së.

Me autorin e këtij shënimi, ajo deklaroi se ka pasur rastin që të flas.

Të ngjajshme

Gjykata Speciale cakton dhjetë seanca në rastin e Hysni…

Tet 15, 2021

DhSK njofton se të hënën pritet të fillojë dëgjimi i…

Tet 14, 2021

Përfundon dëshminë dëshmitari i katërt në rastin e Salih…

Tet 14, 2021

“Në fakt nuk më kujtohet konkretisht se çfarë pyetjesh i bëra, mendoj se më kujtohet se më duket se kam pyetur vetëm nëse ai ka vendosur dokumentet në një apo dy qese provash, më duket se kjo ka qenë  e vetmja gjë për të cilin kemi folur”, ka thënë ajo.

Ajo tutje tha se ka shqyrtuar këtë shënim zyrtar dhe procesverbalin e punuar.

“Unë shqyrtova këtë shënim zyrtar dhe procesverbalin që është punuar kur punonjësi i sigurisë ka sekuestruar provat, është hartuar dokument prej 1 faqe që është nënshkruar nga personi që ka sekuestruar dhe personi tjetër nga është marrë, si dhe ora e data”, ka thënë ajo.

Në bazë të dokumentit që kishte përpara, ajo deklaroi se me 8 shtator 2020 dokumentet e sekuestruara nga ZPS, këtyre të fundit, ato ua ka dorëzuar Faton Klinaku,

Lidhur me një dokument tjetër që iu prezantua asaj, ajo deklaroi se është procesverbali i dorëzimit që është përpiluar nga punonjësi i sigurisë kur ka sekuestruar paketën 1 nga Faton Klinaku.

Të njëjtës, më pas i është treguar edhe një dokument tjetër, që tha se e njeh, dhe është dorëzuar në prova.

“Dokumenti më duket se është një shënim i dhënë nga Zoti Faton Klinaku kur janë sekuestruar dokumentet, pra është shënim i shkruar me dorë, data e dokumentit  është 8 shtator 2020. Kjo faqe ishte faqja e fundit e paketës 1 që ishte dorëzuar në prova”, ka thënë ajo.

 

(Përditësuar, ora 10:56) – Nis dëgjimi i dëshmitares së parë në rastin ndaj Gucatit e Haradinajt në Hagë

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, ka nisur dëgjimi i dëshmitares së parë.

Në seancën e së hënës po jep dëshminë e saj Zenka Pumper, koordinatore e hetimit në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), raporton “Betimi për Drejtësi”.

 

(Përditësuar, ora 10:48) – Gucati e Haradinaj nuk dëshirojnë të bëjnë deklarata gjatë seancës të së hënës

Në gjykimin që po vazhdon ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Hagë, këta dy të fundit nuk kanë dëshiruar që të japin ndonjë deklaratë gjatë seancës që po mbahet të hënën.

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith II ka pyetur Gucatin nëse dëshiron të bëj deklaratë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kur u takuam herën e fundit zoti Gucati donte të bënte deklaratë dhe i thash se këtë mundësi do të kishte më vonë. E pash që e përfunduam seancën dhe Gucati nuk pati mundësi të fliste, i pandehuri mund të bëj një deklaratë në këtë çështje, prandaj e ftoj të bëj një deklaratë të tillë nëse ato lidhjen me çështje dhe mos të kalojnë 2 -3 minuta”, ka thënë gjyqtari.

Kurse, Gucati bëri të ditur se deklarim dëshiron të bëj në ndonjë seancë tjetër.

Njëjtë sikurse Gucati, edhe Haradinaj nuk ka dëshiruar të bëj ndonjë deklaratë.

“Zoti Haradinaj në këtë moment nuk dëshiron të bëj ndonjë deklaratë”, ka thënë avokati i tij, Toby Cadman.

 

Sot fillon dëgjimi i dëshmitarit të parë në rastin e Gucatit dhe Haradinajt në Hagë

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, sot pritet të fillojë dëgjimi i dëshmitarit të parë.

Gjykimi në këtë rast ka filluar më 7 tetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.