“Hajde logjikë hajde” – Ish-zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, i çuditur nga vendimi i qeverisë për librat

Dikur ish-zëvendësministër i Arsimit nën qeverinë e Albin Kurtit, Jusuf Thaçi ka kërkuar të dijë se ku ishte logjika qeveritare kur vendosën që më mirë është t’i rimbursojnë prindërit për blerjen e librave për fëmijët, sesa ta kryejnë atë punë vetë në marrëveshje me shtëpitë botuese.

“Blerja e librave me pakicë (nga prindërit) po dilka më lirë se blerja e librave me shumicë (nga shteti)?! Hajde logjikë, hajde!”, ka shkruar Thaçi.

Gjatë të hënës ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ata s’kanë arritur që si çdo vit tjetër të nënshkruajnë marrëveshje me Shtëpitë Botuese për shpërndarjen e librave nëpër shkolla dhe kështu po dizajnojnë një model të ri ku paratë qeveria ia jep secilit prind veç e veç.

Për shumë kë, edhe për Thaçin, kjo s’ka kurrfarë kuptimi, sidomos pa sens i është dukur arsyetimi i Nagavcit se kjo po bëhet për shkak të kostos.

“Përveç që çmimi i pakicës (si rregull) del më shtrenjtë se çmimi i shumicës, edhe nën supozimin që ministria e cakton çmimin e pakicës, sërish ka kosto shtesë kur librat blihen nga prindërit”, shkroi Thaçi, derisa numëroi disa shpenzime shtesë që do dalin këtë vit.

“Rrjeti i distribuimit e përfshinë shtesë fitimin e vet në çmim (sepse askush nuk punon pa fitim). Qindra-mijëra prindër duhet të harxhojnë kohë e pare për transport (sepse nuk iu vijnë librat as në shtëpi e as në shkollë)”, shkroi Thaçi në Facebook.

Pastaj, “qindra-mijëra transaksione duhet të ekzekutohen nga shteti për rimbursimin e prindërve. Secili transaksion duhet të konfirmohet para se të ekzekutohet. Kjo kërkon shumë resurse njerëzore e teknologjike. Shtesë kësaj, shpresoj të mos ketë edhe ‘transaction fee’”.

Dhe krejt në fund, Thaçi thotë se “mësimdhënësit do të bombardohen nga prindërit me pyetje, sepse për të njëjtën lëndë dhe klasë mund të ketë disa tekste shkollore të miratuara, e prindërit nuk e dinë cili tekst do të përdoret për fëmijët e tyre”.

“Veç kësaj, një pjesë e madhe e prindërve nuk do t’ua blejnë me kohë tekstet nxënësve. Kjo do të rezultojë me qindra-mijëra orë mësimore të humbura (efektivisht)”, përfundon statusin Thaçi.

Deri në këtë vit shkollor, shkollat në gjithë Kosovën kanë përcaktuar se me cilat libra duan të punojnë, të njëjtat i kanë dërguar listat e tyre në Drejtorit Komunale të Arsimit dhe më pas drejtoria i ka përcjellur ato lista në Shtëpitë Botuese, të cilat i kanë përgatitur librat dhe nxënësit kanë gjetur të gjitha librat e nevojshme në bankat e tyre në ditën e parë të shkollës.

Kur ka përfunduar procesi, Ministria e Arsimit i ka paguar Shtëpitë Botuese për librat.

Me arsyetimin se nuk janë marrë vesh për çmimet, Ministria e Arsimit ka vendosur që të shkëpus këtë zinxhirë bashkëpunimi dhe t’ua dërgojë paratë direkt në xhirollogari prindërve, nëse ata vendosin të aplikojnë në platformën e-Kosova për rimbursim.

Përveç se është komplikuar procesi, meqë tash prindërit angazhohen të pyesin njëherë në shkollë se çfarë libra duhet të blejnë, më pas të dalin t’i blejnë ato vetë, të aplikojnë në e-Kosova, ta mbushin formularin dhe të presin rimbrusimin e nga Ministria, e cila, siç ka treguar vetë Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavic, nuk e ka vendosur akoma as modelin e aplikimit, por as levat me të cilat sigurohet se prindërit paratë e marrë nga ministria do t’i shpenzojnë në librat e fëmijëve.

Për më tepër, i gjithë plani nuk bën as sens ekonomik, nëse qëllimi ka qenë shpenzimi më i vogël.

Tani, në vend që ministria të paguajë direkt shtëpitë botuese duke e paguar librin aq sa e shet shtëpia botuese, librat do të blihen nga dora dytë në librari, ku futet edhe fitimi i librarit që shet librin të cilin paraprakisht e ka blerë nga shtëpia botuese.

“Pas shumë përpjekjeve shtëpitë botuese nuk e kanë pasur mirëkuptimin dhe kanë thënë se çmimet e tyre janë të panegociueshme”, tha Nagavci, duke mos treguar se shtëpitë botuese prapë me ato çmime do t’i shesin librat e tyre edhe nëse ato blihen në ndonjë formë tjetër e jo direkt nga ministria.

I pakuptueshëm ishte fakti se Nagavci arsyetohej se të vazhdohej sic ka qenë deri më tani ishte “çmimi i papërballueshëm edhe për buxhetin e shtetit”, duke mos sqaruar se me modelin e ri si parashihet të ulet shuma e shpenzuar nga buxheti.

Por, si do të jetë modeli i shpërndarjes?

Këtë nuk e di askush, as vetë ministria, kur kanë mbetur edhe fare pak ditë deri në fillim të vitit shkollor.

Zëvendës-ministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, e pranoi se akoma janë “duke e shqyrtuar mundësinë që mjetet për tekste shkollore të jepen me modulin për aplikim në E-Kosova dhe shpejt do ta bëjmë linkun për prindërit dhe të gjithë fëmijët”.

Kur është “së shpejti”?

Këtë nuk e dinë nga ministria, meqë, tha Kelmendi vendimi akoma nuk është përfundimtar.

“Ky është vendim potencial”, pohoi.

Por, sqaroi se “mënyra se si është menduar të bëhet rimbursimi është se do të bëhet në xhirollogaritë e prindërve. Prindi në momentin që identifikon vetën dhe numrin identifikues automatikisht dalin të dhënat e prindërve dhe në fund është klauzolë për prind apo kujdestar. Pagesa do të bëhet paraprakisht që të blihen librat”.

Ministrja Nagavi u pyet se si do të sigurohen që paratë që i japin për libra do të përfundojnë pikërisht për libra dhe jo të shpenzohen në forma tjera, ajo nuk ka pasur përgjigje, përveç se tha që pret bashkëpunim.

“Prindërit e kanë obligim për fëmijët e tyre dhe në momentin që aplikojnë ata obligohen. Këtu na nevojitet bashkëpunimi i të gjithëve”.

Ministria, që marrëveshjen me shtëpitë botuese nuk e ka bërë për shkak të çmimit, akoma nuk ka as projeksion se sa do të kushtojë në këtë formë të re.

“Nuk kemi shifra finale, sepse po i shqyrtojmë disa mundësi”, deklaroi Nagavci.

/Albanianpost.com