Haliti: Presidentes nuk i takon t’i ftojë partitë në takim për draftin e Asociacionit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se do të organizojë një takim me partitë opozitare për të diskutuar lidhur me draft-statusin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Qëllimi i këtij takimi është të adresohen komentet dhe vlerësimet në lidhje me projektligjin, duke përfshirë çështjet e kompetencave dhe të drejtave të këtij drafti.

Megjithatë, Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka kritikuar vendimin e presidentes për të ftuar partitë në një takim të tillë.

Haliti ka theksuar se çështja e draft-statutit duhet të trajtohet në Kuvend, duke shtuar se vendimet duhet të merren nga institucionet dhe jo nga liderët politikë.

“Mendoj që nuk është kompetencë e Presidentes për të diskutuar për këtë çështje, mendoj që këto çështje duhet të diskutohen në parlament, të diskutohen në komisione përkatëse dhe s’ka nevojë askush që njëri tjetrin me marr me të mirë. Është obligim kushtetues që të diskutohet secili variant në mënyrë transparente dhe të merren vendime jo nga liderët, por nga institucionet”, ka deklaruar ai për Front Online.

Bashkimi Evropian para një jave zyrtarisht ua dorëzoi partive politike opozitare draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Haliti, duke parë propozimin, ka thënë se duhet të jepet përparësi interesave të përgjithshme dhe se vendimet duhet të merren pas një dialogu transparent dhe të gjerë në Kuvend.

“Draftin e kam pa, jam dakord që të veprohet në përputhje me kërkesat që janë permanente që Asociacioni të mos ketë kompetenca ekzekutive, të tjerat diskutohen gjatë dialogut dhe vendoset kur pjekën kushtet. Unë nuk besoj që ka me ju tregu diçka më shumë se sa e dinë të gjithë ata, dhe nuk e besoj që pse po i fton Presidentja në takim, mund të merren vendime për hatër të presidentes. Këto çështje janë çështje të interesit të përgjithshëm, dhe në përputhje me atë, duhet të veprojë qeveria, parlamenti dhe Presidentja si noterë mund t’i nënshkruaj materialet që i takojnë asaj”, ka deklaruar ai.

Takimi i paralajmëruar i presidentes Osmani me liderët e opozitës, siç ka mësuar Dukagjini pritet të mbahet në fund të javës së ardhshme.

Mirëpo, LDK-ja e ka vlerësuar të vonuar ftesën e udhëheqëses së shteti për të diskutuar përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit.

Deri më tani, partitë opozitare nuk kanë shprehur një qëndrim zyrtar në lidhje me draftin e Asociacionit.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka njoftuar se do të dalin me kritika për draftin pas mbledhjes së tyre të mbajtur të enjten.