Haradinaj: 14 shkurti është referendum për Kosovën në NATO

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh kandidat për President, Ramush Haradinaj sot ka vizituar qytetin e Pejës.

Haradinaj, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se në Pejë është takuar me luftëtarët e kësaj komune, duke thënë se Aleanca qysh në qeverisjen e saj të parë, kishte inicuar dhe miratuar ligjin për kategoritë e lirisë.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për unitet të brendshëm, në rrugën e saj drejt NATO-së. Por ne nuk do të qëndrojmë të bllokuar, e në tavolina dialogu deri në pafundësi, sepse nëse vazhdon izolimi jonë, fitojnë vetëm Serbia dhe Rusia.

Haradinaj thotë se 14 shkurti është referendum për Kosovën në NATO.

Postimi i tij i plotë:

Gjithmonë i nderuar në mesin e bashkëluftëtarëve. Sot në Pejë, zhvillova tri takime të ndara me luftëtarë nga komuna e Pejës, që të shmangim grumbullimet e mëdha për shkak të gjendjes pandemike.

Aleanca qysh në qeverisjen e saj të parë, kishte inicuar dhe miratuar ligjin për kategoritë e lirisë. Edhe gjatë qeverisjes tonë të dytë, kategoritë e lirisë ishin prioritet i yni dhe u trajtuan me dinjitetin që ju takon. I sigurova bashkëluftëtarët, që vlera e tyre dhe kontributi çlirimtar për Atdheun, do të çmohet përjetësisht.

Sot kisha rastin të shpalos para tyre, Programin tonë 2021 – 2025 që fokusohet në zhvillimin ekonomik. Kërkova nga ta mbështetjen për këtë program si dhe për kandidaturën time për President.

Kosova ka nevojë për unitet të brendshëm, në rrugën e saj drejt NATO-së. Por ne nuk do të qëndrojmë të bllokuar, e në tavolina dialogu deri në pafundësi, sepse nëse vazhdon izolimi jonë, fitojnë vetëm Serbia dhe Rusia.

14 shkurti është referendum për Kosovën në NATO. Unë dhe bashkëluftëtarët e mi, ishim të gatshëm kur ishte koha për të çliruar vendin, e jemi të gatshëm edhe për ta mbrojtur. Por mbrojtja më e mirë e vendit është Kosova në NATO. Nëse kjo nuk arrihet në vitet në vijim, organizimi i referendumit për bashkim me Shqipërinë, është rruga që ne do të ndjekim, për të siguruar veten dhe paqen në rajon.

Vota për Aleancën, garanton atë që e kemi arritur deri më tash, me shumë sakrificë, dhe e siguron gjeneratën e re që të mos përjetojë atë që ne përjetuam në fund të shekullit të kaluar.

#ForcaeKosovës

RH