Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: Mbetja e tij në detyrë është e rrezikshme për vendin

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me marrëveshjen për targa të arritur dje në Bruksel.

Haradinaj ka thënë se kjo marrëveshje e kthen Kosovën 10 vjet prapa. Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me nënshkrimin e kësaj marrëveshje e ka goditur rëndë sovranitetin e vendit.

“Dje shteti i Kosovës i ka marrë dy goditje të rana që nga shpallja e shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe këto goditje kanë ardhë jo nga jashtë, jo nga armiqtë tanë por nga një qeveri e kryeministër kukëll e i papërgjegjshëm. Dje është nënshkruar marrëveshje që e kthen Kosovën 10 vjet prapa. Me këtë marrëveshje Albin Kurti e ka goditur fort sovranitetin e vendit, duke vendosur ti rikthejë targat që i kemi hequr 10 vjet më parë. Ky njeri e ka bërë hisedare Serbinë”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media.

Haradinaj ka kritikuar po ashtu Kurtin për refuzimin e projektit me MCC për tubacionin e gazit.

Ai ka thënë se Kurti me dy veprimet e fundit e ka rrezikuar shtetin e Kosovës, e ka shkelur betimin e tij si kryeministër.

“Ky njeri po dje ka marrë vendimin më antishqiptar e antiamerikan në historinë e Kosovës, Refuzimi i Qeverisë për tubacionin e gazit është goditje e drejtpërdrejt ndaj shtetit, është hapje e derës për gazin rus dhe risinë. Ky njeri e ka nisë epokën anti-Kosovë dhe anti-Amerikë. Jam i sigurtë se nuk ka me pasë sukses. Albin Kurti me dy veprimet e fundit e ka rreziku shtetin e Kosovës, e ka shkelë betimin e tij si kryeministër. Ky njeri i ka plotësuar të gjitha kushtet për të dhënë dorëheqje, mbetja e tij në këtë detyrë është e rrezikshme për vendin. Unë me kohë e kam vërejtë se është i rrezikshëm për vendin”, ka thënë Haradinaj.