Haxhiu kërkon të ndryshohet Ligji për skemat pensionale

Teuta Haxhiu, po kërkon që të ndryshohet ligji për skemat pensionale.

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu ka nisur nismën ligjore për ndryshimin e Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti.

Ajo përmes një konference për medie tha se pensionet kontributdhënëse duhet t’i marrin të gjithë pensionistët për aq sa kanë punuar, e jo të zbatohet udhëzimi administrativ që iu kërkon pensionistëve të kenë përvojë 15 vjeçare për të marrë këtë pension.

Sipas saj, ky udhëzim është diskriminues dhe se në bazë të tij pensione marrin vetëm ata që kanë punuar në sistemin okupues, e jo ata që janë larguar dhunshëm nga puna.

“Sot para jush unë shpalos një nismë ligjore e cila ka ardhur si rezultat i përpjekjeve të mija pesë vjeçare për pensionet kontribut dhënëse. Kërkesat, ankesat e individëve, shoqatave që më janë drejtuar vazhdimisht për diskriminimin që iu bëhet një udhëzimi administrativ që përcakton kriteret se cilat duhet të plotësohen që një pensionist të merr edhe pensionet kontribut dhënëse…Pensionet kontribut dhënëse të marrin të gjithë pensionistët për aq sa kanë punuar, pra pensionistët që kanë punuar qoftë edhe një vit të vetëm të marrin pensionet e tyre varësisht nga vitet që kanë punuar. Ajo që është mëse diskriminuese dhe që është në kundërshtim me Ligjin kudër Diskriminimit është fakti që pension marrin ata që kanë punuar në kohën e ish sistemit. Ata që e kanë përqafuar sistemin e atëhershëm, ndërsa ata që janë dëbuar dhunshëm në atë kohë janë diskriminuar”, tha ajo.

Deputetja u shpreh optimiste se ky plotësim-ndryshim i ligjit do të gjejë përkrahje tek të gjitha grupet tjera parlamentare.

“Besoj shumë, jo vetëm individualisht që bisedojë me deputetë, por edhe me grupet që besoj që do të miratojnë. Besoj se është rruga më e shkurtër që ne të bëjmë një ndryshim tek neni 8”, u shpreh Haxhiu

Ajo adresoi kritika edhe për ministrin e këtij dikasteri, Skender Reçica, që sipas saj po përpiqet të vonojë procesin.

“Jemi të vonuar, prandaj arsyetimi i ministrit se kemi hartuar një koncept-dokument për mua është një rrugë e gjatë dhe një përpjekje për të vonuar procesin”, tha ajo.

Deputetja Haxhiu edhe legjislaturën e kaluar ka nisur një iniciativë të tillë, por që nuk ka pasur përkrahje parlamentare.