Helmimi në Malishevë, shkon në 100 numri i personave që kërkojnë ndihmë mjekësore

Numri i personave të helmuar që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë ka shkuar në 100.

Këtë për medie e ka konfirmuar Afrim Krasniqi, drejtor i QKMF-së së qytetit të Malishevës.

Këta persona dyshohet se janë helmuar nga ushqimi që kanë ngrënë në një lokal në rrugën “Abdyl Mazreku”, në Malishevë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se pronari i lokalit “Apetit” është Kujtim Shala i cili tashmë gjendet në mbajtje.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është arrestuar pronari i lokalit dhe se i njëjti është dërguar në mbajtje.

“Rr. Abdyl Mazreku-Malishevë,13.10.2023-16:48. Nga QKMF –Malishevë është raportuar se nga ora 16:48 e datës së lartcekur e deri në mesnatë ndihmë mjekësor kanë kërkuar rreth 63 persona nën dyshimin se janë infektuar nga ushqimi nga një lokal ushqimor në Malishevë, ndërsa tre prej tyre janë dërguar në QKUK-ë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit i dyshuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.