Hidhet poshtë kërkesa për përjashtimin e prokurorit në rastin “Syri i Popullit”

Të pabazuar e ka konsideruar Prokuroria Speciale kërkesën e të akuzuarve në procesin gjyqësor “Syri i Popullit”, për përjashtimin e prokurorit të rastit, Sylë Hoxha.

Ka vlerësuar se pretendimi se prokurori është i ndikuar politikisht nuk është i mbështetur në asnjë provë. Javë më parë, edhe Gjykata Themelore e Prishtinës e ka hedhur poshtë kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues, për të njëjtën arsye, si të pabazuar, shkruan sot Koha Ditore.

Asnjërin vendim, avokatët mbrojtës të të akuzuarve, kanë thënë se ende nuk e kanë pranuar. Kanë thënë se sapo t`i marrin, do të shohin nëse ka hapësirë për t`u ankuar në instanca të tjera.

Bazuar në aktakuzë, Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha, si dhe Rexhep Topllana janë akuzuar për terrorizëm dy vjet më parë.

Ata dyshohet se aktivitetet i kanë filluar nga data 15 mars e vitit 2015. Prej atëherë, të akuzuarit dyshohet se kanë planifikuar fillimin e aksioneve, të cilët kanë pasur për qëllim destabilizimin ose shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Kosovës.