Hoti – ministrit Peci: Inspektor Peci në botën e çudirave

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti iu ka drejtuar ministrit të Bujqësisë, Faton Peci si “Inspektor Peci në botën e çudirave”.

Sipas Hotit, faktet dëshmojnë se puna e ministrit Peci në bujqësi është “e padukshme” dhe se “inspektor Peci paska vazhduar me ofendime”.

“Është në siklet se është bërë argat i atij që çdo ditë po e dëmton shtetin e Kosovës. E shan çdo ditë shtëpinë e mëparshme politike të tij, por nuk guxon të thotë një fjalë për përjashtimin e Kosovës nga ‘Defender 2023’. E ka marrë mandatin nga Kuvendi për zhvillimin e bujqësisë, e ky merret me inspektimin e lokaleve për pirje të duhanit”, ka shtuar deputeti Hoti.

Hoti ka theksuar se është duke përfunduar viti i tretë i qeverisjes dhe “asnjë shenjë nuk ka në bujqësi nga puna e tij”.

E ftoj z. Peci të nis të punoj diçka se i shkoi mandati. E vërteta është se, sipas raportit të Qeverisë, në tre mujorin e parë të këtij viti, subvencionet në bujqësi janë ZERO dhe investimet kapitale në bujqësi janë ZERO”, ka përfunduar Hoti.