Hoxha: Vitia nuk e tha të vërtetën dje për rastin e 26 vjeçarit, Qeverinë ta hetojë Parlamenti

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar krijimin e një Komisioni Hetimor të Posaçëm per hetimin e veprimeve të Qeverisë në detyrë karshi pandemise Covid-19.

Për këtë njoftoi deputetja e kësaj partie Eliza Hoxha, në një konferencë për media.

“Duke pasur parasysh rëndesën dhe seriozitetin e ngjarjes dramatike të ndodhur si dhe përgjegjësitë e mëdha të institucioneve shtetërore që kufizuan lirinë e tij dhe duhej të kujdeseshin për të, Partia Demokratike e Kosovës, propozon krijimin e një komisioni hetimor parlamentar të posaçëm. Kujtoj se përveç funksionit legjislativ, një ndër funksionet më të rëndësishme që ushtron Kuvendi i Kosovës është ai i mbikëqyrjes së Qeverisë dhe i kërkimit të llogarisë dhe vënies para përgjegjësisë për të gjitha veprimet e ndërmarra prej saj. Ky komision parlamentar do duhet të hetojë sjelljen dhe veprimet e qeverisë gjatë periudhës së pandemisë duke u marrë në mënyrë të veçantë me përgjegjësitë institucionale që shkaktuan vetëvrasjen e 26 vjeçarit Agon Musliu”, tha ajo.

Hoxha pohoi se presin mbështetje edhe nga partitë tjera për krijimin e këtij komisioni.

Ajo theksoi se dokumentet e publikuara në media për korrespondencën e bërë me Ambasadën e Kosovës në Gjermani dhe Qendrën Operative Emergjente të Gjilanit dëshmojnë se ministri Vitia dhe personat përgjegjës për karantinën kanë qenë në dijeni për problemet shëndetësore të Agon Musliut.

“Institucionet shtetërore që duhej të kujdeseshin për të riun 26 vjeçar, kanë kryer një akt të rëndë neglizhence e papërgjegjshmërie që ka çuar mandej deri tek tragjedia e vetëvrasjes. Ato fakte gjithashtu tregojnë se ministri i shkarkuar i shëndetësisë në konferencën e shtypit dje nuk ka thënë të vërtetën. Po ashtu, kanë dalë tashmë fakte të shumta bindëse se karantina është menaxhuar keq dhe se ka pasur abuzime të rënda për sa i përket trajtimit në mënyrë selektiv të qytetarëve të riatdhesuar” tha Hoxha.