I gatshëm t’i bashkohem secilës parti

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, është shprehur i gatshëm t’i bashkohet secilës parti politike.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka treguar se mund t’i bashkohet cilido subjekt politik që e vlerëson të nevojshme ndihmën e tij.

“Cilësdo parti që ia merr mendja se i duhet Nasim Haradinaj, unë jam i gatshëm t’i ndihmoj atij subjekti politik. Por, të gjithë duhet ta dinë se unë nuk bëhem vegël e liderit. Të gjithë e dinë se unë një herë kam kaluar nga PDK-ja në AAK, por kam aderuar kur kjo parti ka qenë në opozitë. Pra, nuk jam prej atyre tipave që vrapon aty ku mund të marrë ndonjë post, por kam shkuar aty ku ka nevojë për ndihmë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se, ndonëse shokët i ka në PDK, nuk e ka problem të aderojë as në LDK nëse kjo e fton.

Ai ka thënë se i pëlqen ideja e liderit të PDK-së për ta luftuar korrupsionin dhe nepotizmin, madje i ka ftuar të gjitha subjektet politike që në listat për deputetë të mos fusin njerëz me aktakuza.

Ai ka sqaruar raportimet e fundit nëpër medie se do të bëhet pjesë e PDK-së.

“Ajo që ka ndodhur ka qenë një bisedë shoqërore me disa shokë që ishin pjesë e OVL-UÇK-së, në një restorant privat, ku diskutonim për çështjet politike. Dhe unë, në diskutim e sipër, thashë se, meqenëse krejt partitë politike iu kanë vërsulur PDK-së, duke i vendosur vija të kuqe, atëherë do të ishte mirë t’i ndihmoj PDK-së, sepse ka nevojë për ndihmë”, është shprehur Haradinaj.