IKSHPK ende nuk ka pranuar rezultate për mostrat e dërguara në Gjermani për variantin e ri të COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ende nuk ka pranuar ndonjë rezultat rreth 30 mostrave që janë dërguar në Gjermani, për testim të detajuar në variantin e ri të koronavirusit.

Këtë e ka konfirmuar Xhevat Jakupi, Drejtor i Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK.

“Mostrat e dërguara nga IKSHPK  janë pranuar me datën 25.01.2021 në Institutin e Virologjisë, Qendra Universitare Charite në Berlin. Ende nuk kemi rezultate të pranuara si dhe nuk kemi informata nga Instituti në fjalë se kur mund ti pranojmë këto rezultate”, ka deklaruar ai për Klan Kosova.

Drejtuesi i këtij laboratori në IKSHPK thonë se në rast të paraqitjes së ndonjë rasti me variantin e ri, IKSHPK nuk ka reagenca të duhura për të kryer këtë lloj testimi, ani se detektimi i saj bëhet me metodën e njëjtë Real Time-PCR.

“Nëse ndonjë  nga rastet e testuara si pozitive është me variantin e ri britanik (ose të Afrikës së Jugut) të SARS-CoV-2,  ende nuk kemi RT- PCR kite specifike për detektim pasi që vetëm në ditët e fundit kanë filluar të prodhohen dhe jemi në proces të sigurimit të këtyre kiteve”.

Ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se varianti i ri i COVID-19 përhapet shumë më shpejt sesa koronavirusi, teksa ende nuk është konfirmuar se ka vdekshmëri më të lartë.

Fokusi.info