IKSHPK: Në Kosovë nuk ka koronavirus

Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka siguruar qytetarët e vendit se nuk ka asnjë person të prekur nga koronavirusi.

Pavarësisht se virusi vdekjeprurës korona, ka përfshirë tashmë pothuajse të gjitha kontinentet e botës, Kosova vazhdon të qëndrojë e paprekur nga koronavirusi.

Sipas të dhënave të fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nga data 8 shkurt deri 1 mars, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 33 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 (coronavirus) dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Sipas IKSHPK, nga data 1 shkurt deri me 1 mars nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 1 mijë e 223 udhëtarë.

Nga Aeroporti “Adem Jashari”, 322 udhëtarë, Vërmicë 367, Merdare 461, Hani i Elezit 22, Dheu i Bardhë 37, Kullë 7 dhe Qafë Morinë 7 udhëtarë.

“Sot, në ANP ‘Adem Jashari’ ekipet mjekësore të aeroportit bashkë me QKMF – Obiliq, Inspektoratin Sanitar të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës të mbështetur nga ekipi i IKSHP-së kanë kontrolluar të gjithë udhëtarët e ardhur sonte nga Verona e Italisë, sipas protokolleve të OBSH-së dhe ECDC dhe tek asnjëri nuk janë gjetur shenja klinike të sëmundjes”, njofton IKSHPK.

Më tej në njoftim thuhet se, udhëtarët janë rekomanduar të qëndrojnë në shtëpitë e veta, të evitojnë kontaktet e afërta me persona, të evitojnë përshëndetjen me shtrëngimin e duarve, të mbajnë higjienën personale dhe larjen e duarve dhe në rast të shfaqjes së temperaturës, kollitjes apo vështirësive në frymëmarrje duhet të paraqiten te mjeku i familjes me historikun e udhëtimit.

Ndryshe, në nivel global deri më 29 shkurt, janë raportuar gjithsej 87 mijë e 24 raste me koronavirus dhe 2 mijë e 979 raste të vdekjes.

Ndërkaq, në BE dhe Britani të Madhe janë raportuar 1.520 raste me coronavirus dhe 31 raste të vdekjes.